Hetim për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, dy të pezulluar dhe një në kërkim
Dy persona janë pezulluar nga detyra, ndërsa një 41-vjeçar është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni policor për zbardhjen e një rasti të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
Në kuadër të operacionit, është ekzekutuar masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për dy shtetas, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Masa e sigurisë është caktuar për O. O., 44 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë punonjëse në një njësi administrative në kryeqytet.
Në të njëjtën masë është përfshirë edhe A. K., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim, një 41-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se është përfshirë në veprimtarinë e paligjshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
“KORÇA BOOM”
















