Kufij të rinj për oficerët e sigurisë në shkolla
- 1 day ago
- 2 min read
Standardet e reja përcaktojnë kufijtë e ndërhyrjes në shkolla: oficerët nuk vendosin ndëshkime, nuk hetojnë dhe nuk përdorin forcë fizike
Oficerët e sigurisë në shkollat shqiptare nuk mund të ndëshkojnë nxënësit, të kryejnë hetime, të përdorin forcë fizike apo të ushtrojnë kompetencat e Policisë së Shtetit.
Këto janë disa nga kufijtë e përcaktuar në dokumentin e ri “Standardet Profesionale të Oficerëve të Sigurisë në Shkolla”, hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP).
Dokumenti synon të unifikojë mënyrën se si oficerët e sigurisë veprojnë në institucionet arsimore dhe të përcaktojë qartë kompetencat e tyre.
Një prej përcaktimeve më të rëndësishme lidhet pikërisht me raportin e oficerit me nxënësin.
Sipas standardeve, oficeri nuk merr masa disiplinore, nuk vendos sanksione apo ndëshkime dhe nuk kryen procedura hetimore.
Ai nuk mund të përdorë forcë fizike apo mjete shtrënguese dhe nuk ushtron kompetenca të Policisë së Shtetit.
Edhe kontrollet fizike ndaj nxënësve vendosen nën kufizime. Dokumenti përcakton se oficeri nuk zhvillon kontrolle fizike ndaj tyre, përveç rasteve të parashikuara sipas vendimmarrjes dhe procedurave institucionale. Po ashtu, ai nuk mund të kontrollojë mjediset e shkollës pa ndjekur procedurat përkatëse.
Roli i tij përcaktohet si parandalues dhe jo ndëshkues. Oficeri nuk zëvendëson mësuesin, psikologun, punonjësin social apo rojën e shkollës dhe nuk mund të zhvillojë terapi psikologjike apo të marrë vendime pedagogjike.
Bullizmi, droga dhe konfliktet
Standardet e reja i japin ndërkohë oficerit një rol të drejtpërdrejtë në identifikimin e hershëm të rreziqeve.
Ai duhet të identifikojë situatat që lidhen me bullizmin, cyberbullizmin dhe forma të tjera të dhunës, të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve dhe të bashkëpunojë me drejtuesit e shkollës, mësuesit, prindërit dhe institucionet e tjera.
Dokumenti evidenton se shkollat janë përballur vitet e fundit me dhunën mes nxënësve, bullizmin dhe cyberbullizmin, përdorimin e substancave narkotike, hyrjen e personave të paautorizuar, konfliktet dhe situatat emergjente.
Në rastet më serioze, oficeri duhet të evidentojë dhe referojë problematikën te strukturat kompetente, jo ta hetojë vetë.
Standardet kërkojnë dokumentimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës, bullizmit, neglizhencës, përdorimit të substancave dhe problemeve të tjera sociale apo emocionale, duke ruajtur konfidencialitetin e nxënësit.
Edhe kamerat me rregulla
Një kapitull i veçantë i standardeve i kushtohet teknologjisë dhe informacionit.
Oficerët mund të përdorin sistemet CCTV dhe pajisjet e monitorimit vizual, por vetëm sipas procedurave institucionale dhe kufijve ligjorë e etikë.
Aksesi në pamjet dhe të dhënat e monitorimit duhet të kufizohet vetëm te personat e autorizuar.
Në tërësi, ASCAP ka përcaktuar 11 standarde profesionale, që shkojnë nga siguria fizike dhe teknologjia, te emergjencat, parandalimi i dhunës, etika, komunikimi me nxënësit dhe referimi i rasteve.
Filozofia që përshkon dokumentin është që oficeri të mos shndërrohet në një “polic brenda shkollës”.
Standardet e përcaktojnë atë si një figurë mbështetëse dhe parandaluese, ndërsa kompetencat policore, disiplinore, pedagogjike dhe psikologjike u mbeten strukturave përkatëse./ Albanian Post
“KORÇA BOOM”
















