Lajm i mirë për mijëra familje, deri në 300 m² tokë mund të kalojnë në pronësi
Rregulla të reja për pronat pa dokumente, oborret dhe trojet funksionale/Ja kush përfiton deri në 300 m²
Qeveria ka ndryshuar rregullat për pajisjen me dokument pronësie të objekteve të vjetra pa titull, trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim.
Ndryshimet synojnë të përshpejtojnë procesin e evidentimit dhe trajtimit të këtyre pronave, duke i dhënë mundësi Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) që të ndërhyjë edhe me nismën e saj, bllok pas blloku.
Rregullat e reja nuk nënkuptojnë legalizim të përgjithshëm për çdo ndërtim pa leje dhe as nuk u japin automatikisht të gjithë qytetarëve 300 metra katrorë tokë falas.
Kush përfiton?
Në fokus janë kryesisht poseduesit e objekteve të ndërtuara deri më 10 gusht 1991, të cilët nuk disponojnë dokument pronësie për ndërtesën dhe truallin që përdorin.
Përfitojnë gjithashtu qytetarët që kanë një titull të regjistruar ose të regjistrueshëm për banesën, por nuk kanë dokument pronësie për oborrin ose tokën funksionale që ndodhet përreth saj.
Rregullat do të zbatohen edhe për kërkesat e paraqitura më herët pranë ASHK-së, për të cilat ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Si nis procedura?
Procedura mund të nisë nga vetë qytetari, përmes platformës “e-Albania”, ose nga ASHK-ja gjatë procesit të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale apo verifikimeve në terren.
Drejtoritë vendore të ASHK-së do të miratojnë plane veprimi, ku përcaktohen blloqet kadastrale që do të kontrollohen.
Kjo i hap rrugë një procesi në terren, ku punonjësit e Kadastrës mund të evidentojnë banesat, oborret dhe trojet që nuk kanë dokumentacion pronësie.
Gjatë verifikimit, qytetari plotëson formularin për deklarimin e të dhënave, ndërsa ASHK kontrollon ndërtesën, kufijtë e saj dhe statusin juridik të tokës.
Deri në sa tokë mund të përfitohet?
Sipas rregullave të reja, ASHK mund të kalojë në pronësi deri në 300 metra katrorë truall funksional ose oborr në përdorim.
Sipërfaqja duhet të jetë në posedim real të subjektit dhe kjo gjendje verifikohet në terren, ndër të tjera edhe përmes rrethimit ekzistues.
Në rast se sipërfaqja e rrethuar është më e madhe se 300 metra katrorë, kjo nuk do të thotë se e gjithë parcela kalon automatikisht në pronësi. Në këtë rast merret në konsideratë vetëm sipërfaqja që lejohet nga rregullat.
Kur toka përfitohet pa pagesë?
Kalimi i truallit deri në 300 metra katrorë mund të bëhet pa pagesë kur toka është pronë shtetërore, rezulton me pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion mbi pronësinë.
Në rastet kur një sipërfaqe është pjesërisht shtetërore dhe pjesërisht private, ASHK mund të miratojë një sipërfaqe më të vogël se 300 metra katrorë, në mënyrë që të shmanget cenimi i pronës private.
Po nëse toka ka një pronar tjetër?
Kur trualli ose oborri rezulton pronë private e një personi tjetër, poseduesi nuk e përfiton tokën falas.
Në këto raste, kalimi i pronësisë bëhet kundrejt pagesës së vlerës së tokës, sipas çmimit dhe lehtësive të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Pronari i regjistruar trajtohet sipas rregullave përkatëse të kompensimit që zbatohen për tokat private të prekura nga proceset e legalizimit.
Sa kushton procedura?
Kur qytetari e nis vetë procedurën përmes “e-Albania”, tarifa e shërbimit është 10 mijë lekë.
Kjo tarifë nuk rimbursohet edhe në rast se kërkesa nuk miratohet nga ASHK.
Ndërkohë, kur procedura nis nga vetë Kadastra gjatë verifikimit në terren, për objektet me funksion banimi nuk aplikohet tarifa prej 10 mijë lekësh.
Në këtë mënyrë, ndryshimet synojnë të përfshijnë në proces edhe një numër të madh pronash të vjetra dhe sipërfaqesh funksionale që prej vitesh përdoren nga qytetarët, por që nuk kanë dokumentacion të plotë pronësie.
“KORÇA BOOM”
















