Mjeshtri i lojës së futbollit, Aleko Pilika feston 85-vjetorin – Edhe 100 vjet “baba” i futbollit korçar!
- Korca Boom
- May 29
- 1 min read
Nëse ka një personazh të veçantë në lojën e futbollit në Korçë – por jo vetëm – ai është Aleko Pilika. Ai ka lindur më 29 maj të vitit 1940 në Korçë, në një familje të respektuar qytetare korçare, familja Pilika.
Pasioni i tij ishte futbolli. Në moshën 17-vjeçare shpallet kampion me ekipin e të rinjve të Skënderbeut. Në moshën 18-vjeçare debuton me ekipin e të rriturve të Skënderbeut. Gjatë viteve 1959–1963 thirret rregullisht në ekipin kombëtar, por nuk aktivizohet në asnjë ndeshje.
Në vitet 1963–1965 kryen shërbimin ushtarak, jo me Partizanin, si zakonisht ndodhte me sportistët, por me Dinamon, ku fiton një titull kampion. Në vitin 1966 kthehet në Korçë, te Skënderbeu i tij, duke refuzuar vazhdimisht kërkesat e Dinamos për t'u bashkuar me ta.
Në vitin 1970, kur ekipin e drejtonte Ilia Shuke, Alekoja ishte kapiten në 23 ndeshje.
Në sezonin 1974–1975 merr drejtimin e ekipit të Skënderbeut dhe një vit më vonë e nxjerr kampion. Por ai vit dhe ai kampionat përfunduan me mohimin e titullit për ekipin.
Aleko Pilikën e emërojnë trajner të ekipit tonë kombëtar të Shpresave. Pas një serie rezultatesh pozitive, ky ekip arrin në finalen e Ballkaniadës dhe shpallet kampion i Ballkanit. Befas, Alekon e largojnë nga ekipi, pa asnjë arsye të qartë.
Alekoja u martua me motrën e të madhit Teodor Vaso dhe kanë krijuar një familje të mrekullueshme. Jo më kot Aleko Pilikën e kanë quajtur “baba” të futbollit korçar.
Edhe 100 të tjera, mjeshtër i futbollit!
“KORÇA BOOM”



















