top of page

Nga Ardit KONOMI: Dje se si mu duk Korça!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 20 hours ago
  • 3 min read

11 dhjetor sot.

Ky shkrim duhej të dilte dje por dje nuk më vinte.


Dje se si mu duk Korça.

Siç i duket vizitorëve.

Si një qytet i lezeçëm ku shiten kërnace.


Sot në mëngjes ngaqë nuk dukej nga mjegulla, fillova po kujtoja që Korca është krijuar si qytet kozmopolitan.


E bënë korçarët, mborjarët, vithkuqarët, vakëfllinjtë, voskopojarët, oparakët, drenovarët, boboshtarët, dishnicarët, dangëlliotët, kolonjarët, devollinjtë, frashëriotët, leskoviqarët, grabovarët, përmetarët, skraparllinjtë, fusharakët, e të tjerë.


Ndoshta i pari në këtë pjesë të Ballkanit.


Është ndër të paktët qytete që në historinë e tij ka qenë edhe metropolitan edhe provincial.

Ka qenë vendi që i dha Shqipërisë gjuhën.


I dha shkollën.

I dha himnin.

I dha patriotët.

I dha kishën e mëvetësuar.

I tregoi se si i këndohet mëmëdheut, se si sakrifikohet për të.

I dha shembullin e parë se si ndërtohet shteti dhe si mirëfunksionon administrimi.

I mësoi se si krijohet klasa e lartë dhe e mesme dhe më pas edhe se si ngrihet klasa e ulët.

I tregoi se si protestohet.

I mësoi se si bëhet tregëtia dhe industria.

Se si ndërtohet.

I dha filantropinë.


I tregoi se si dhurohet e ndihmohet për të qenë së bashku më mirë.

Korça ndërtoi edhe Shqipërinë e pasluftës. Këtë Shqipëri që kemi sot.

Mësuesit, mjekët, që u shpërndanë në çdo skutë të vendit.


Inxhinierët, teknikët, shoferët dhe manovratorët që ndërtuan hidrocentralet.

Montatorët, saldatorët që ndërtuan veprat industriale, e gjithçka tjetër.

Në një mënyrë a një tjetër, Korça është kudo.


Korça herë të ngroh e herë të ftoh por ama asnjëherë nuk kam menduar që Korça ka lindur nga rastësia dhe po jeton nga dobësia deri sa të vdesë nga domosdoshmëria, si një shoku im që dje për herë të parë më trembi se mu duk ekzistencialist.


Nuk mendoj as që korçarët janë të rënë nga qielli por për disa arsye të caktuara ata ende ruajnë aftësinë e bashkëveprimit social edhe atëherë kur e shohin shtrembër njëri-tjetrin dhe nuk flasin me gojë.


Atë aftësi që pjesa më e madhe e vendit e ka humbur (ose nuk e ka patur ndonjëherë) për shkak të fragmentizimit të shoqërisë.


Që në fillim të historisë të saj, etërit e këtij qyteti vendosën të mos i bënin hije njëri-tjetrit. Shtëpitë e Korçës mund t'i dalloje nga pasuria në stilin e ndërtimit ose në mënyrën e dekorimit ose nga kangjellat dhe portat ose nga lulet e oborreve.


Por asnjë i pasur nuk e ngriti shtëpinë aq lart sa t'i zinte dritën gjitonit më të varfër.

Sepse qytetet dhe shoqëritë e vetëdijësuara, funksionojnë si një organizëm ku mirëqënia duhet të shtrihet kudo në mënyrë që të gëzohet.


Sot nuk jemi më aq të qytetëruar.


Nuk jemi më as aq optimistë dhe të kthjellët.

U bë kohë që vërtitemi si mizë pa kokë, pa gjetur dot se nga duhet t'i biem që të dalim në dritë.


Jemi provincializuar.

Në fakt, mendoj se metropoli dhe provinca janë gjithmonë brenda nesh.

Pavarësisht se ku jetojmë.


Varësisht vetëm nga se kë vendosim të ushqejmë dhe kë lemë të vdesë.

Këtë duhet të bëjmë me veten dhe me Korçën.


I kemi të gjitha mundësitë.

Më shumë se ç'na nevojiten për t'u bërë projekti pilot i një epoke të mirë që po vjen.

Korça mund të bëhet përsëri moda që Shqipëria e sotme zor se e qep dot.


E sigurt është, që më pas dhe pak nga pak do ta kopjojë, por vetëm pasi ta shohë njëherë të veshur.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page