top of page

Nga stadiumi te “ndeshja e fantazmës” në Cërrik, Gjergji Çikopani rrëfen historitë e ekipit të Devollit

  • 16 hours ago
  • 2 min read

Një kujtesë për ekipin e Devollit dhe devollinjtë e mirë, për disa prej veprimtarëve sportivë që sot nuk janë më mes nesh. Respekt dhe mirënjohje për kontributin e tyre!


Fotoja, e viteve ’80-’90, sjell në kujtesë një periudhë të rëndësishme për futbollin e Devollit. Me dëshirën e qytetarëve të Devollit dhe veçanërisht të drejtuesve të asaj kohe, Shpëtimit, Gjergjit, Pellumbit e të tjerëve, pushteti vendor bëri përpjekje të mëdha për krijimin e kushteve të nevojshme për stërvitjet dhe mbarëvajtjen e ekipit të futbollit.


Në atë kohë, si këshilltar i zonës së Bilishtit, e përfshiva këtë problem në një vendim të Këshillit Popullor të Rrethit, duke siguruar edhe një mbështetje të konsiderueshme nga rrethi.


Për mbarëvajtjen e ekipit punuan me përkushtim dy emra të njohur, Gj. Ballço dhe S. Lubonja, të mbështetur nga njeriu model dhe veprimtari i palodhur, Gj. Karakosta. Falë këtij angazhimi u arrit të krijohej një ekip model, që pretendoi shumë dhe arriti jo pak.


Kush e harron atë ndeshjen e famshme në Cërrik, “ndeshjen e fantazmës”, ku lojtarëve iu lëshuan deri edhe qentë e një shkolle policie aty pranë?!


Kjo foto më solli sot kujtime për disa miq të mirë që nuk i kemi më mes nesh, por edhe për mbështetjen e madhe që morëm nga miq të shumtë sa herë që kërkohej ndihmë për objektet sportive dhe sociale.


Pa dyshim, edhe qytetarët dhe ndërmarrjet e Bilishtit dhanë kontributin e tyre për rrethimin, tribunën dhe krijimin e kushteve të kërkuara nga FSHF-ja për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare. Në atë periudhë u zgjidh edhe problemi i Unazës së qytetit dhe u mundësua punësimi i 285 personave brenda një viti.


Sot, Devolli pretendon më shumë. Por Bashkia ende nuk ka një ekip si ai i asaj periudhe. Problematika ka edhe në drejtim e menaxhim dhe, mbi të gjitha, duhet një angazhim më i madh.


Pata rastin të rikthehem në Devoll dhe të qëndroj pranë stadiumit. Dhe përshtypja ime është e qartë: populli i Devollit meriton më shumë!

Në foto është edhe miku Gj. Karakosta, mësues i Edukimit Fizik, i përkushtuar si trajner, si dhe specialisti i kompletuar Tomi Stefanllari, së bashku me të tjerë që dhanë kontributin e tyre për sportin dhe futbollin e Devollit.


Një foto, shumë kujtime dhe një histori që meriton të mos harrohet.

“KORÇA BOOM”


bottom of page