“Nuk doja ta besoja çfarë po ndodhte”/ 42-vjeçari rrëfen momentet para tragjedisë
- 1 day ago
- 2 min read
Procesi gjyqësor ndaj Kastriot Cenkos, 42-vjeçarit shqiptar të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, në Ampelokipi të Greqisë në nëntor të vitit 2024, ka vijuar me dëshminë e të pandehurit.
Para Gjykatës së Përzier me Juri, Cenko ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka kërkuar falje para trupit gjykues.
“Humba kontrollin. Kërkoj falje”, deklaroi 42-vjeçari gjatë dëshmisë së tij.
Ai tregoi se marrëdhënia me bashkëshorten ishte përkeqësuar prej kohësh për shkak të konflikteve të vazhdueshme familjare. Sipas tij, situata ishte rënduar edhe më tej pasi kishte mësuar se gruaja kishte një lidhje jashtëmartesore me një mik të tij të fëmijërisë.
“E doja shumë. Nuk doja ta besoja çfarë po ndodhte”, tha ai para gjykatës.
Sipas versionit të tij, momenti që solli përshkallëzimin e situatës ishte kur bashkëshortja i tha se do të largohej nga shtëpia së bashku me fëmijët. Ai pretendoi gjithashtu se ajo i kishte thënë se fëmija më i vogël nuk ishte biologjikisht i tij.
“Në atë moment u çmenda. E gjithë jeta ime ishin fëmijët e mi”, deklaroi Cenko, duke pranuar se e kishte goditur bashkëshorten me një çekiç.
Pas ngjarjes, ai tha se ishte përpjekur t’i jepte ndihmën e parë, por pa sukses. Më pas, sipas dëshmisë së tij, e kishte mbështjellë trupin dhe fillimisht e kishte fshehur në një dollap brenda apartamentit, për ta transferuar më vonë në papafingo.
Të nesërmen, 42-vjeçari dërgoi fëmijët në shkollë dhe shkoi në punë. Aty u tha kolegëve se bashkëshortja ishte larguar nga shtëpia.
Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues vuri në pikëpyetje versionin e të pandehurit, duke theksuar se mënyra se si trupi ishte mbështjellë me disa shtresa qesesh nuk përputhej me pretendimin e tij se nuk kishte pasur qëllim të fshihte krimin.
Cenko mohoi se kishte planifikuar të arratisej apo të fshihte ngjarjen.
“Nëse doja të zhdukesha, mund ta kisha bërë. Nuk kam menduar kurrë të fshihesha”, deklaroi ai, duke shtuar se veprimet e tij kishin pasur si qëllim që fëmijët të mos përballeshin me pamjen e trupit të nënës së tyre.
Sipas dosjes hetimore, më vonë ishte vetë Kastriot Cenko ai që njoftoi autoritetet, pranoi krimin dhe u tregoi hetuesve vendin ku kishte fshehur trupin e bashkëshortes, si dhe çekiçin që dyshohet se ishte përdorur gjatë vrasjes.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e palëve përpara se të japë vendimin përfundimtar.
Kastriot Cenko prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
“KORÇA BOOM”
















