“Nuk dua të më lëndojnë më dhe të më bëjnë keq!”/ Zbulohet letra që la 25-vjeçarja
- 2 hours ago
- 1 min read
Dalin në dritë fakte të reja nga ngjarja tragjike e ndodhur në Lezhë, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikolli dyshohet se i dha fund jetës duke u vetëhelmuar si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike prej ish-bashkëshortit të saj të shpallur në kërkim policor.
E reja ndërroi jetë një ditë më parë në QSUT, kurse familjarët kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, ndaj ish-burrit të viktimës, Eraldo Fizi, i shpallur në kërkim.
Në kallëzimin e bërë nga familjarët, ata pretendojnë se e reja është dhunuar në mënyrë brutale nga Fizi.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër. Sipas burimeve, në të ajo shkruante se “nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin”.
Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.
Pas ngjarjes së rëndë, policia ka kryer këqyrjen e trupit të pajetë të 25-vjeçares, e cila i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Gjatë ekzaminimit janë konstatuar shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah.
Sipas dëshmisë së të afërmve, Fizi është kthyer nga jashtë vendit më 9 shkurt.
Po atë ditë ai ka takuar ish-bashkëshorten e tij, Xhuana Nikolli, nga e cila ishte divorcuar vetëm tre muaj pas martesës së tyre në qershor 2025, dhe aty dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj./Panorama.al
“KORÇA BOOM”
















