top of page

“Në Big Brother më gjykuan”, Miri rrëfen prapaskenat: Bashkëshortja e kuptoi më mirë se të gjithë lojën time

Jun 27
2 min read

Miri, anëtari i njohur i grupit West Side Family, ka folur hapur për eksperiencën e tij në Big Brother VIP Albania, një eksperiencë që sipas tij e vendosi përballë sfidave emocionale dhe gjykimeve të forta publike.


Rreth nëntë muaj pas pjesëmarrjes në reality show, Miri tregoi se hyrja në shtëpinë e Big Brother ishte një sfidë personale për të dalë para publikut pa filtrat e skenës dhe për të treguar veten ashtu siç është.


Duke kujtuar momentet më emocionuese, ai veçoi dy prej tyre si më të paharrueshmet.


“Momenti më i bukur ishte surpriza kur erdhi vajza ime. Po ashtu, takimi me familjen në finale mbetet një tjetër kujtim i jashtëzakonshëm. Janë dy momentet më të bukura që kam përjetuar aty brenda,” u shpreh ai.


Megjithatë, artisti pranoi se rrugëtimi në shtëpinë më të famshme në Shqipëri nuk ka qenë aspak i lehtë. Ai u përball me shumë sfida dhe momente të vështira emocionalisht.


Një rol kyç gjatë gjithë këtij rrugëtimi, sipas tij, ka pasur bashkëshortja, të cilën e cilëson si mbështetësen e tij më të madhe.

“Kam diskutuar me të para se të hyja se si mund të shkonte jeta ime në Big Brother. Kur dola, kuptova sa saktë e kishte analizuar lojën time edhe nga jashtë. Ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë,” tha Miri.


I pyetur për raportin me opinionisten Monika dhe perceptimin se ajo e kishte favorizuar gjatë spektaklit, këngëtari hodhi poshtë këtë ide.


“Nuk besoj se ka qenë çështje miqësie. Ajo më ka mbrojtur kur e ka ndjerë të nevojshme dhe më ka kritikuar kur e ka parë të arsyeshme. Ka qenë një qasje e drejtë ndaj lojës sime,” u shpreh ai.


Miri nuk e fshehu se një nga pjesët më të vështira të eksperiencës ka qenë ndjenja e të qenit i gjykuar padrejtësisht.


“Më ka prekur kur jam gjykuar për gjëra që nuk i kam bërë. Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo të lëndon,” deklaroi ai.


Në fund, Miri e cilësoi eksperiencën në Big Brother VIP si një nga përvojat më të vlefshme në jetën e tij, duke theksuar se ka dalë prej saj me një këndvështrim më të pjekur për jetën dhe marrëdhëniet njerëzore.

"KORÇA BOOM"


bottom of page