top of page

Panairi i enëve prej balte, traditë e trashëguar në javën e Pashkëve në Korçë

  • 2 days ago
  • 2 min read

Atmosfera festive e Pashkëve ka përfshirë qytetin e Korçës, ku në sheshin përpara Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” po zhvillohet panairi tradicional i enëve prej balte. Ky panair, tashmë simbol i kësaj periudhe, po tërheq jo vetëm korçarët, por edhe vizitorë të shumtë që zgjedhin qytetin e juglindjes për të përjetuar traditat e Javës së Shenjtë.


Të pranishmit shprehen se ruajnë një lidhje të fortë me këtë traditë, duke e konsideruar baltën simbol të jetës dhe të reflektimit shpirtëror gjatë kësaj periudhe.


“Sot blihet baltë, për hir të Zotit që varroset nesër. Edhe nesër blihet baltë, sot dhe nesër, se nesër është dita e të vdekurve. Blejmë nga një çikë baltë e futim në shpi, qirnj, vezë. Plus dhe dreka që bëhet të dielën, mblidhemi të gjithë dhe gëzojmë. Është zakoni dhe është mirë, balta ruhet për shumë vjet, nuk nakatoset me të tjera, e ruajmë në një vend dhe themi që këtë e kam blerë për Pashkë”, tha një e moshuar.


“Sot është një ditë e shënuar dhe erdhëm këtu për të blerë diçka prej balte. Kjo është një traditë e jona sepse nga balta kemi ardhur dhe në baltë do kthehemi”, shprehet një tjetër zonjë.


“Prej baltës kemi ardhur dhe në baltë do kthehemi kur të vdesim”, tha qytetarja.


Pjesëmarrësit theksojnë rëndësinë e ruajtjes së zakoneve, duke e konsideruar blerjen e enëve prej balte si pjesë të ritualeve të Pashkëve dhe kujtesës familjare. Panairi sjell në vëmendje mjeshtërinë e zonave të Devollit të Sipërm, veçanërisht fshatit Bradvicë, të njohur historikisht për përpunimin e baltës.


Sipas burimeve lokale, baltëpunuesit e këtyre zonave kanë marrë pjesë në panairet e Korçës prej më shumë se një shekulli, duke e kthyer këtë aktivitet në trashëgimi kulturore. Panairi i enëve prej balte mbetet një nga ngjarjet më karakteristike të Pashkëve në Korçë, duke ndërthurur besimin, historinë dhe artizanatin në një traditë që vijon të tërheqë vizitorë çdo vit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page