Petrit F. Zeneli /Më në fund, një nder i çuar në vend!
- Korca Boom
- Jul 14
- 2 min read
Një rikthim simbolik që preku zemrat e të gjithëve.
Pas 520 vjetësh, biri i shquar i Panaritit, Ilia (Iljaz) Beu, u "kthye" në vendlindje. Ishte një ditë emocionuese dhe një moment krenarie e ligjshme për të gjithë banorët e kësaj krahine me histori të thellë.
Ky emër i madh, filantropi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave në ato treva, themeluesi i Korçës urbane dhe pagezuesi i emrit të shenjtë “Vakef”, u kujtua dhe u nderua ashtu siç e meriton. Me duartrokitje dhe lot, ai u mirëprit në zemrat e panaritasve — ndonëse me shumë vonesë historike, por me gjithë respektin e munguar ndër shekuj.
Momenti u bë edhe më prekës kur kabaja e mjeshtrit të madh Aleks Xhelili ushtoi deri lart në malet Kurore, duke i dhënë shpirt simbolik këtij rikthimi të vonuar, por të denjë.
Nuk munguan emocionet e shumta:
Fjala e ngrohtë dhe frymëzuese e personalitetit të truallit, z. Astrit Hado
Kënga e mrekullueshme e mjeshtrit Orgest Kolonjarit, kushtuar enkas Panaritit
Vargjet prekëse të recituara nga nxënës të talentuar të shkollës së krahinës, në nderim të 450 martirëve të saj
Këtyre u shtuan:
Parakalime me veshje tradicionale
Ekspozita me dokumentarë historikë
Panair libri
Gatime tradicionale
Këngë dhe valle popullore, në mesin e qindra të pranishmëve
Dhe kulmi i gjithçkaje: një takim festiv madhështor dhe historik, që u kthye në një ngjarje të paharrueshme për këtë verë.
Shoqata e Vakefëve tregoi edhe një herë forcën, pasionin dhe frymën e bashkimit që di të mbjellë. E mbushur me të rinj e të reja plot energji, ajo është garancia se krahina nuk do të shuhet kurrë, por do të jetojë me dinjitet përmes brezave që vijnë.
O çfarë suksesi!O çfarë lumturie!Mos e ndal vrullin tënd, shoqatë e dashur e Vakefëve!
“KORÇA BOOM”



















