top of page

Pezullohet efektivi pas pamjeve që qarkulluan në media, çfarë njofton Policia

1 day ago
1 min read

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas publikimit në media të pamjeve ku ai dyshohet se ka tejkaluar kompetencat gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.


Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, punonjësi me inicialet A. K. është pezulluar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim administrativ për të sqaruar rrethanat dhe për të verifikuar nëse efektivi ka respektuar rregullat e përdorimit të forcës dhe parimin e proporcionalitetit.


Paralelisht, kanë nisur hetimet edhe për rastin e 28-vjeçarit E. V., i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale është ngarkuar të shqyrtojë rastin në mënyrë të plotë dhe të paanshme.


Në reagimin e saj, Policia e Shtetit bën me dije se gjatë protestës, e cila vijoi deri në orët e mbrëmjes, u plagosën pesë punonjës policie. Sipas institucionit, efektivët u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.


Policia shpreh keqardhje për plagosjen e të riut dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë që mbetën të lënduar gjatë protestave në Tiranë.


Në përfundim të njoftimit, institucioni thekson se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet, duke nënvizuar se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale mbeten parime të panegociueshme për çdo punonjës të Policisë së Shtetit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page