Rrënjët e Kolonjës/ Nuk ka kolonjar që nuk e njeh Nënë Thomaidha Prodanin, gruan me shpirt të madh
- 2 hours ago
- 2 min read
Rrënjët e Kolonjës - Thomaidha Prodani
Nënë Tomja lindi në Tiranë, më 29 mars të vitit 1946.
Po atë vit, familja e saj u shpërngul në fshatin Podë të Kolonjës, ku ishin rrënjet e familjes, aty ku do të rrënjosej jo vetëm jeta e saj, por edhe kujtesa e një qyteti të tërë.
E rritur në një familje religjioze, si mbesa e një prifti, ajo përthithi që herët vlerat më të larta njerëzore. Përulësia, dashuria për tjetrin dhe respekti i ndërsjellë u bënë themeli mbi të cilin ndërtoi gjithë jetën e saj një jetë që flet më shumë me vepra sesa me fjalë.
Nënë Tomja është, pa dyshim, një nga figurat më të veçanta që Kolonja mban sot.
Një nga ato shpirtra të heshtur, që nuk kërkojnë zë për t’u dëgjuar, sepse mirësia e tyre jehon vetë. Një nga ato nëna që titullin “Nënë” nuk e kanë thjesht një thirrje, por një meritë të fituar me jetë.
Ajo ka qenë mbi të gjitha njeri, një grua me shpirt të madh, e palodhur dhe e përkushtuar, që sot është bërë një nga rrënjët më të forta të këtij qyteti. Nuk ka kolonjar që nuk e njeh, nuk e respekton dhe nuk ka ngrëne prej dorës së saj.
Ka njerëz që lindin me talent për muzikë, për pikturë…
Por Nënë Tomja duket se ka lindur për diçka më të rrallë: Për të mishëruar humanitetin, respektin dhe altruizmin në formën e tyre më të pastër.
Ndaj, sot, në 80-vjetorin e saj, i urojmë jetë dhe shëndet.
Faleminderit për miresinë që ke shpërndarë dhe për shembullin që ke lënë, një model që flet pa zë, por që dëgjohet nga të gjithë.
“KORÇA BOOM”
















