Shakira gati të ndezë sërish Botërorin, pas “Waka Waka” rikthehet në skenë me himnin zyrtar të Kupës së Botës
- 3 hours ago
- 1 min read
Shakira do të rikthehet edhe një herë në atmosferën e Kupës së Botës, kësaj radhe me këngën “Dai Dai”, e cila është përzgjedhur si himni zyrtar i Botërorit 2026. Lajmi u bë publik nga vetë artistja përmes një videoje të shkurtër në rrjetet sociale, ku ajo njoftoi se projekti muzikor do të publikohet më 14 maj.
Botërori i vitit 2026 do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, ndërsa rikthimi i Shakirës ka ngjallur reagime të shumta pozitive mes fansave të futbollit dhe muzikës në mbarë botën.
Kjo shënon herën e tretë që artistja kolumbiane lidhet me historinë muzikore të Kupës së Botës. Në vitin 2010, ajo arriti sukses global me hitin “Waka Waka (This Is Africa)”, kënga zyrtare e Botërorit në Afrikën e Jugut, ndërsa në vitin 2014 publikoi “La La La” për Kampionatin Botëror në Brazil.
Në videon promovuese të këngës së re, të realizuar në stadiumin legjendar “Maracana”, Shakira shfaqet në një atmosferë festive, e shoqëruar nga kërcimtare dhe elementë simbolikë të futbollit. Artistja interpreton fragmente nga “Dai Dai”, duke shtuar pritshmëritë për projektin e ri muzikor.
Titulli i këngës, që në italisht përkthehet si “ejani”, ka nxitur kureshtjen e publikut dhe spekulimet se projekti do të sjellë ritme dinamike dhe energji të ngjashme me himnet ikonike të Botërorëve të mëparshëm.
Ndërkohë, FIFA synon që “Dai Dai” të shndërrohet në simbolin muzikor të Kupës së Botës 2026, duke shoqëruar ceremonitë, festimet dhe momentet kulmore të turneut më të madh të futbollit në botë./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















