top of page

SOT 74 vjetori i Legjendës së futbollit Dhimitraq Xhambazi! Gëzuar Mjeshtër…

  • 1 day ago
  • 2 min read

Sot është një ditë e veçantë për një nga Ikonat e futbollit korçar dhe atij shqiptar. Dhimitraq Xhambazi pikërisht sot feston 74 vjetorin e tij të lindjes.


Dhimitraq Xhambazi, një mjeshtër i vërtetë i futbollit, lindi në Korçë në vitin 1952 dhe qysh fëmijë kishte pasion futbollin, sport me traditë në qytetin tonë.


Nga 1967 deri në 1970 shkëlqeu tek ekipi i të rinjve e më pas për 12 vite radhazi u bë pjesë e pandarë e ekipit të Skënderbeut, me trajnerët Ilia Shuke e Aleko Pilika deri në vitin 1982.


Në 12 vjet karrierë, Xhambazi luajti në mbi 240 ndeshje e shënoi rreth 110 gola.


Ishte një futbollist i fortë fizikisht dhe nje goleador i lindur, “i frikshëm” për çdo lloj mbrojtjeje e për çdo portier. Arritjet më të medha futbollistike të Xhambazit ishin dalja e Skënderbeut në finalen e Kupës së Shqipërisë më 1976, si dhe edicioni ‘76-’77, kur Skënderbeu u shpall Nënkampion i vendit.


Ka luajtur në disa takime miqësore me ekipet rumune e turke që vinin asokohe në Shqipëri, si dhe 4 ndeshjet e vlefshme për Kupën Ballkanike në vitin 1978, ku Skënderbeu luajti kundër grekëve të Aris të Selanikut dhe kundër jugosllavëve të Rijekës.


Duket paradoksale që Dhimitraq Xhambazi nuk u bë asnjëherë pjesë e skuadrës kombëtare shqiptare, ndërkohë që në ato vite ishte një ndër sulmuesit e golashënuesit më të mirë të Shqipërisë.


Pas largimit nga loja e futbollit, Xhambazi për vite me radhë ishte trajner i moshave pranë klubit Skënderbeu, si edhe drejtues shkolle ku me mirësinë, përkushtimin, profesionalizmin dhe përvojën e tij fitoi respektin dhe dashurinë e nxënësve dhe kolegëve.


Mban titujt “Mjeshtër Sporti”, “Qytetar Nderi i Korçës” si dhe “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut” akorduar nga Presidenti i Republikës.


Dhimitraq Xhambazi ishte e mbetet një ikonë e vërtetë e sportit dhe një figurë e respektuar e mjaft popullore në qytetin e tij të lindjes, ku për bashkëqytetarët dhe adhuruesit e sportit ka mbetur një legjendë dhe një emër i madh, por po aq një njeri i shkëlqyer dhe një mik i mirë, ndaj ka gjithë adhurimin dhe mirënjohjen e tyre.


Stafi i portalit “Korça Boom” në këtë ditë të shënuar uron Profesorin e nderuar: Edhe 100 Mjeshtër dhe Legjendë e futbollit shqiptar!


Paç shëndet dhe jetë sa më të gjatë!

“KORÇA BOOM”


bottom of page