top of page

Tatimet godasin informalitetin: Biznesi në Korçë nuk deklaronte pagat reale

  • Apr 7
  • 1 min read

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të luftës kundër informalitetit, duke vendosur theks të veçantë tek deklarimi i pagave, një element kyç që ndikon drejtpërdrejt në skemën e kontributeve dhe pensioneve.


Një rast konkret është evidentuar në Korçë, ku pas një denoncimi qytetar, inspektorët tatimorë kanë kryer verifikime në një subjekt tregtar dhe kanë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi.


Sipas kontrolleve në terren, biznesi në fjalë nuk deklaronte pagat reale të punonjësve, duke shmangur detyrimet ligjore dhe kontributet për sigurimet shoqërore. Një praktikë e tillë ndikon negativisht jo vetëm tek të ardhurat e shtetit, por edhe tek përfitimet e ardhshme të vetë punonjësve.


Gjatë inspektimit është konstatuar gjithashtu mungesa e afishimit të listës së çmimeve, një tjetër detyrim ligjor që garanton transparencë për konsumatorët.


Autoritetet kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj subjektit, ndërsa rasti i është referuar për hetime të mëtejshme strukturave përgjegjëse, përfshirë Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës.


Administrata Tatimore u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të punës informale apo shmangies së detyrimeve ligjore përmes kanaleve zyrtare, duke theksuar se bashkëpunimi me publikun mbetet thelbësor në luftën kundër informalitetit dhe për garantimin e një tregu të drejtë e transparent.

“KORÇA BOOM”


bottom of page