Te Skënderbeu, tifozët nuk përmbahen më: “Të dalin përgjegjësit, boll u tallët me ne!”
Rezultatet e dobëta të Skënderbeut kanë shtuar pakënaqësinë mes tifozëve korçarë, të cilët përmes komenteve në rrjetet sociale kanë shprehur hapur zemërimin e tyre ndaj trajnerit, drejtuesve të klubit dhe paraqitjes së skuadrës në fushën e lojës.
Pas një serie ndeshjesh pa rezultatet e pritshme, tifozët kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshime, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po menaxhohet ekipi. Kritikat drejtohen veçanërisht ndaj trajnerit Ahmataj, por nuk mungojnë as thirrjet për reagim nga presidenti Takaj dhe drejtuesit e tjerë të klubit.
“Jemi bërë gazi i botës, humbje pas humbjeje. Nuk i meritojnë këto korçarët. Ju lutemi, nxirrni përgjegjësit, gjeni fajtorët dhe jepini drejtim”, shkruan një tifoz, duke shprehur zhgënjimin për situatën e skuadrës.
Një tjetër tifoz vë në qendër të kritikave vendimet e trajnerit, sidomos për mënyrën se si po menaxhohen goditjet e penalltive. Bismark është një nga lojtarët më të kritikuar për humbjen e rasteve nga pika e bardhë, ndërsa tifozët pyesin se përse vijon t'i besohet kjo detyrë, pavarësisht gabimeve të përsëritura.
“Tre herë ka humbur penalltinë kapiteni dhe ju ia lini prapë atij ta gjuajë. E kujt është përgjegjësia? E juaja, sepse ju jeni të papërgjegjshëm, jo lojtarët”, shkruan Safet Shparthi.
Edhe Ujku Bardhekuq shpreh rezerva për vendimet e trajnerit, duke theksuar se Naser nuk duhej të zëvendësohej. Sipas tij, ekipi ka lojtarë me talent, por problemet lidhen me menaxhimin, organizimin dhe mungesën e efikasitetit në lojë.
Ai kritikon gjithashtu paraqitjen e portierit Aliaj, mbrojtjen, posedimin e topit dhe finalizimin, duke e cilësuar nisjen e sezonit si një ndër më të dobëtat në historinë e klubit.
Pakënaqësia shtrihet edhe te drejtuesit. Disa tifozë kërkojnë që presidenti Takaj të dalë publikisht dhe të japë shpjegime për situatën, ndërsa të tjerë kërkojnë largimin e trajnerit dhe ndryshime në drejtimin e skuadrës.
“Te dalë Takaj në intervistë”, shkruan Andrea Karanxha, duke kërkuar një reagim nga presidenti i klubit.
Ndërkohë, një pjesë e tifozëve e shohin problemin edhe te loja e vetë futbollistëve. Ata kritikojnë mungesën e gjuajtjeve të rrezikshme në portë, gabimet në mbrojtje dhe rastet e shpërdoruara, duke theksuar se skuadra nuk po arrin të tregojë nivelin që pritet prej saj.
Megjithatë, mes komenteve ka edhe nga ata që kërkojnë më shumë durim, duke kujtuar se ekipi është i ri dhe se ndërtimi i një skuadre konkurruese kërkon kohë.
Në tërësi, komentet tregojnë një pakënaqësi të madhe të tifozëve korçarë, të cilët kërkojnë përgjigje konkrete dhe një kthesë sa më të shpejtë. Për ta, Skënderbeu nuk është thjesht një skuadër futbolli, por një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe krenarisë së qytetit.
Tashmë, tifozët presin reagim nga drejtuesit dhe skuadra, në një moment kur rezultatet dhe paraqitjet në fushë kanë shtuar presionin mbi klubin.
“KORÇA BOOM”
















