top of page

Trafiku ajror ndërkombëtar preket nga konfliktet, Tirana ndalon fluturimet

  • Mar 1
  • 1 min read

Tiranë – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka njoftuar pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve drejt Tel Aviv dhe Dubai, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe mbylljes së hapësirave ajrore në Lindjen e Mesme.


Vendimi është marrë pas zhvillimeve të fundit në rajon dhe nisjes së sulmeve ajrore, që kanë krijuar një situatë të pasigurt për trafikun ajror ndërkombëtar. Autoritetet e aeroportit bëjnë me dije se masa është ndërmarrë për garantimin e sigurisë së pasagjerëve dhe ekuipazheve.


Në një njoftim zyrtar, TIA thekson:


“Për shkak të situatës në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së hapësirave ajrore, të gjitha fluturimet drejt Tel Aviv dhe Dubai janë anuluar deri në një njoftim të dytë.”


Pasagjerët e prekur nga ky vendim do të informohen nga kompanitë ajrore për riplanifikimin e fluturimeve ose procedurat e rimbursimit, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.


Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të ndikojnë ndjeshëm edhe në trafikun ajror ndërkombëtar, ndërsa autoritetet aeroportuale në disa vende kanë marrë masa të ngjashme pezullimi për destinacionet e prekura.


Aeroporti i Tiranës ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe paralajmëron se situata do të monitorohet vazhdimisht, ndërkohë që çdo ndryshim do të komunikohet menjëherë për pasagjerët.

"KORCA BOOM"


bottom of page