Traktori 60-vjeçar që sfidon teknologjinë moderne dhe mban të hapura rrugët e Mokrës
- Korca Boom
- 16 hours ago
- 1 min read
Mes borës së dendur dhe terrenit të vështirë malor të Mokrës, një traktor zinxhiror DT-75, prodhim i viteve ’60–’70, vijon të kryejë një punë jetike që shpesh makineritë moderne e kanë të vështirë ta përballojnë.
Pavarësisht moshës së tij mbi 60-vjeçare, mjeti mbetet funksional dhe i domosdoshëm për hapjen e rrugëve të bllokuara nga bora, veçanërisht në zona ku infrastruktura është e kufizuar. Rrugët e ngushta, pjerrësitë e theksuara dhe terreni i thyer malor e bëjnë të pamundur përdorimin e mjeteve të rënda bashkëkohore, duke e kthyer DT-75 në një zgjidhje të pazëvendësueshme.
Falë zinxhirëve dhe qëndrueshmërisë së tij, traktori arrin të përballojë kushte ekstreme atmosferike, duke siguruar kalueshmërinë për banorët e zonës dhe lidhjen e fshatrave me qendrat kryesore.
Ky mjet i vjetër, por i besueshëm, mbetet një simbol i qëndrueshmërisë dhe efikasitetit në shërbim të komunitetit, edhe në një kohë kur teknologjia moderne po dominon sektorin e mekanikës./ vizionplus.tv
“KORÇA BOOM”



















