top of page

U largua në amshim bashkëluftëtarja e Anastas Janullatos, motra Argjiro Kondojorgji

Aug 5, 2025
3 min read

Fjeti në Zotin motra Argjiro Kondojorgji, ndahet nga jeta në moshën 103-vjeçare bashkëpunëtorja besnike e ish-Kryepeshkopit Anastas.


Me hidhërim të thellë njoftojmë për fjetjen në Zotin të së nderuarës znj. Argjiro Kondojorgji, sot, më 5 gusht 2025, në orën 09:20 të mëngjesit, në prag të së kremtes së Metamorfozës së Shpëtimtarit.


Motra Argjiro ishte bashkëpunëtore besnike e Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, që në punën e tij misionare në Afrikë dhe më pas në Shqipëri. Ajo ndërroi jetë në moshën e shkuar 103-vjeçare, e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur.


Shërbesa e varrimit do të kryhet nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, të enjten, më 7 gusht, në orën 12:00 në kishën e Manastirit të Ri të Shën Vlashit dhe trupi i saj do të prehet në Skitin e Miroprurëseve të Shenjta, sipas dëshirës së shprehur prej saj vetë.


I përjetshëm qoftë kujtimi i saj

Argjiro Kondojorgji: Heroina e padukshme e hierapostullimit orthodhoks

Argjiro Kondojorgji lindi më 22 shtator 1922 në Tinos. Ishte fëmija i tretë i një familjeje me tre vajza dhe dy djem. Ajo u rrit me besim të thellë nga tezja e saj Ana, e cila përkujdesej për të. Studioi në shkollën romano-katolike në Tinos, ku u dallua për mprehtësinë e saj.


Humbja e nënës në moshën 15-vjeçare e forcoi edhe më tej nxitjen për kërkim më të thellë të jetës shpirtërore. Gjatë viteve të pushtimit shërbeu si vullnetare duke ndihmuar të plagosurit e anijes "Eli" dhe më vonë shërbeu edhe si përkthyese me pushtuesit italianë, duke shfaqur guxim dhe patriotizëm të thellë. Pas luftës punoi për 19 vjet në Bankën e Greqisë, por dëshira e zjarrtë për hierapostullimin e jashtëm e bëri të braktiste pozicionin e saj të sigurt në punë në moshën 37-vjeçare, kur dëgjoi thirrjen hierapostolike të teologut, asokohe laik, Anastas Janullatos.


Argjiro Kondojorgji ishte bashkëpunëtorja më e ngushtë dhe me vlera e misionarit arkimandrit Anastas Janullatos, që në fillimet e veprës së tij misionare. Kontributi i saj në zhvillimin e hierapostullimit të jashtëm orthodhoks në Afrikën Lindore ishte vendimtar dhe i shumanshëm. Ajo organizoi me metodikë arkivin dhe sekretariatin e qendrës hierapostolike në Athinë, shtypi pa u lodhur tekste, studime dhe korrespondencë, mori pjesë aktive në shkrimin dhe redaktimin e revistës “Panda ta Ethni”, si dhe ndihmoi në përkthimin e teksteve në gjuhë të huaja.


Aftësia e saj për të organizuar, klasifikuar dhe menaxhuar vëllime të mëdha informacionesh dhe dokumentesh ishte e pakrahasueshme. Në të njëjtën kohë, kontribuoi ndjeshëm në organizimin e hierapostullimit në Afrikë, duke mbajtur kontakte me misionarët dhe duke u kujdesur për nevojat e tyre. Përkushtimi dhe puna e saj e palodhur u bënë shumë të njohura ndër ata që e njihnin. Në vitin 1991, kur episkopi i atëhershëm i Andrusës, Anastasi, u zgjodh Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Argjiro Kondojorgji e ndoqi pas që nga momenti i parë në misionin e tij të ri dhe i qëndroi pranë në të gjitha vështirësitë. Megjithëse në moshën gati 70-vjeçare, ajo nuk hezitoi të vinte në Shqipërinë e shkatërruar nga ateizmi, për të vazhduar shërbimin e saj.


Kështu, nisi studimet në Universitetin e Tiranës për të mësuar gjuhën shqipe dhe u mor me përkushtim me organizimin nga e para të sekretariatit të Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës. Kontributi i saj në mbështetjen sekretariale dhe funksionimin e zyrës së Kryepiskopit ishte mjaft i rëndësishëm. Për më shumë se tre dekada në vendin tonë, punoi në heshtje dhe pa u lodhur, duke kontribuar me vendosmëri nga ana e saj në rindërtimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.


Argjiro Kondojorgji ishte shumë më tepër sesa një sekretare e thjeshtë. Ajo ishte kujtesa e Kryepeshkopit, bashkëpunëtorja që sillte rezultate në nisma të ndryshme, e përkushtuar deri në fund. Një “dhjakoneshë” e Kishës së Krishtit, me vetëmohim, jetë asketike dhe përulësi. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që patën bekimin ta njihnin dhe të bashkëpunonin me të.

“KORÇA BOOM”


bottom of page