top of page

U rrëzua pa ndjenja në fushë, Lorenc Trashi zbulon çfarë i ndodhi

3 days ago
1 min read

Pas momenteve të panikut që shoqëruan ndeshjen Besëlidhja-Korabi, ku Lorenc Trashi u rrëzua pa ndjenja në fushë në minutën e 44-t, futbollisti ka dhënë një reagim qetësues për gjendjen e tij shëndetësore.


Në një komunikim për Top Channel, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka sqaruar se episodi nuk lidhej me ndonjë problem kardiak, por me gjendjen e rënduar fizike dhe temperaturën e lartë me të cilën kishte zbritur në fushë.


“Thjesht më ra një gjendje si të fikët, isha i pafuqishëm, me temperaturë dhe s’po ndihesha mirë. Kam qenë me temperaturë para ndeshjes dhe nuk bëra kontroll. Në fushë isha me 39.5”, ka deklaruar Trashi.


Futbollisti ka treguar se, pavarësisht frikës së krijuar pas rrëzimit, kontrollet e mëparshme mjekësore nuk kishin evidentuar probleme shëndetësore.


“Të hënën kam lënë të bëj disa vizita të specializuara, por nga zemra nuk kam gjë. Madje, kontrollet e përgjithshme mjekësore i bëmë para dy javësh me ekipin dhe çdo gjë ishte shumë mirë”, është shprehur ai.


Pas rrëzimit në fushë, stafet mjekësore ndërhynë menjëherë dhe Trashi u transportua me autoambulancë drejt spitalit të Lezhës, ku gjendja e tij u stabilizua.


Ngjarja shkaktoi momente të forta ankthi gjatë ndeshjes, por deklaratat e vetë futbollistit kanë qetësuar tifozët dhe kanë dhënë më shumë detaje mbi atë që ndodhi në fushë.


Trashi pritet t’i nënshtrohet edhe disa ekzaminimeve të specializuara për të vlerësuar më tej gjendjen e tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page