UEFA i bën dhuratën e madhe Shqipërisë, fituesi i Kupës siguron një biletë direkt në turin e dytë të Conference League
Një lajm mjaft pozitiv vjen nga UEFA për futbollin shqiptar. Fituesi i Kupës së Shqipërisë pritet të përfitojë një avantazh të rëndësishëm në garën europiane të sezonit të ardhshëm, duke e nisur aventurën në Conference League direkt nga turi i dytë kualifikues dhe jo nga i pari, siç ka ndodhur deri më tani. Lajmi bëhet i ditur nga “Panorama Sport”.
Ky ndryshim lidhet me ribalancimin e vendeve në kompeticionet europiane, në rast se Rusia konfirmohet sërish jashtë garave të UEFA-s për sezonin 2027-2028. Në këtë skenar, nëse skuadra që shpallet kampione e Shqipërisë fiton gjithashtu edhe Kupën e Shqipërisë, përfitues i vendit europian të lënë bosh do të jetë ekipi që renditet në vendin e dytë të kampionatit.
Për rrjedhojë, Kupa e Shqipërisë merr një rëndësi edhe më të madhe. Përveç trofeut dhe prestigjit, fituesi do të ketë mundësinë të përfitojë një rrugë më të favorshme drejt fazës së grupeve të kompeticioneve europiane, me më shumë të ardhura financiare dhe më pak pengesa në fazën e parë të eliminatoreve.
Kujtojmë se Dinamo e drejtuar nga Ilir Daja ka triumfuar në dy edicionet e fundit të Kupës së Shqipërisë. Blutë kanë përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në Europë, duke arritur deri në fazën “play-off” të Conference League gjatë aventurës së tyre verore.
“KORÇA BOOM”
















