Vr*sja e 21-vjeçarit Joan Zuko në Korçë/ Sociologia Dojçe: A*mët në duart e të rinjve, dështim i parandalimit
- 3 hours ago
- 5 min read
Tragjedia e Korçës ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar ka tronditur thellësisht opinionin publik dhe ka rindezur alarmet mbi sigurinë e të rinjve. Dalja në dritë e videove ku shokët e autorit shihen duke qëlluar me armë zjarri në mes të pyllit dhe të gjithë të rinjtë së bashku që shihen duke pozuar me drogë në rrjetet sociale, ekspozon një realitet të frikshëm.
Për sociologet, aksesi kaq i lehtë i të rinjve ndaj armëve dhe narkotikëve nuk është thjesht një devijancë individuale, por një dështim i drejtpërdrejtë i institucioneve për të parandaluar krimin dhe për të kontrolluar territorin.
Sociologia Maria Dojçe thotë se në një qytet relativisht të vogël si Korça, ku grupet problematike dhe lëvizjet e tyre janë lehtësisht të identifikueshme, fakti që të rinjtë kanë akses kaq të lehtë tek armët dëshmon për një mungesë të theksuar të kontrollit të territorit.
Ky ekspozim i dhunës tregon se kjo ngjarje fatale nuk erdhi rastësisht, por nga përshkallëzimi i një situate të lënë jashtë mbikëqyrjes nga ata që kanë për detyrë të sigurojnë rendin publik.

"Për sa i përket përdorimit të armëve, do ta shikoja me sy pak më skeptikë, sepse përdorimi i armëve në vetvete, sidomos në shoqëri si ato tonat, në një shoqëri deri diku e mirëkontrolluar të paktën nga familja dhe rrjeti shoqëror, dhe po t’u referohemi qyteteve relativisht të vogla siç është Korça, këtu është shumë lehtë për ta kontrolluar fëmijën apo shoqërinë. Institucionet e kanë shumë lehtë funksionin e tyre për ta ushtruar siç duhet kur duan, sepse janë qytete të vogla me një numër banorësh të ulët. Mandej, të ketë këtë lloj ekstremesh të përdorimit të armëve, për mua është një përgjegjësi shumë e madhe dhe pikëpyetje shumë e madhe ngrihet tek institucionet, te siguria e rendit.”
Dojçe shkon edhe më tej në analizën e saj dhe e konsideron shqetësues faktin që armët mund të gjenden dhe të përdoren nga të rinjtë. Sipas saj, nëse një person i kësaj grupmoshe ka mundësi të sigurojë një armë, atëherë përgjegjësia nuk duhet të kërkohet vetëm tek individi, por edhe te mënyra se si institucionet kontrollojnë territorin dhe identifikojnë personat e përfshirë në problematika të tilla.
“Nuk është vështirë sot të gjesh përdorues të armëve, sidomos të këtyre grupmoshave, në një territor sa është Korça, qarku i Korçës. Këtu ka neglizhencë ose bashkëfajësi, në këndvështrimin tim gjithmonë, sepse të mendosh që një i ri, 20-vjeçar, akseson kaq lehtë armë, ku armët dihet që në shtete si shteti ynë përdoren vetëm nga institucionet përkatëse që është siguria e rendit publik, pra institucionet e sigurisë së rendit publik dhe siguria e mbrojtjes me territorin që është ushtria. Ndaj popullata nuk ka të drejtë të përdorë armë. Armët nuk janë të lejuara në shtetin shqiptar.”
Dojçe e cilëson veçanërisht problematike mundësinë që armët të qarkullojnë pa u identifikuar dhe që persona të rinj, të përfshirë në konflikte, të kenë akses tek ato. Për të, parandalimi duhet të nisë shumë më herët, përpara se një konflikt verbal apo një përplasje mes të rinjve të kthehet në një ngjarje me pasoja fatale.
"Të gjenden armë kaq lehtë, të përdoren hapur kaq lehtë dhe të mos identifikohen, të mos ndëshkohen këta fëmijë, të mos parandalohen ato situata nga institucionet përkatëse dhe sigurisht forcat e rendit publik, për mua është një neglizhencë ose mosushtrim i rregullt i detyrës.”
Por një tjetër pikë e rëndësishme është edhe heshtja. Në një shoqëri ku njerëzit mund të kenë dijeni për armë, konflikte apo persona problematikë, pyetja është nëse ata ndihen të sigurt për t’i raportuar këto raste. Frika nga përfshirja në një konflikt apo nga pasojat që mund të ketë një denoncim mund të bëjë që shumë qytetarë të zgjedhin të heshtin. Për sociologen, kjo është një tjetër hallkë e problemit.

"Mendoj që po, në një shoqëri kaq agresive sa ne po shohim dhe po prekim në kohët e fundit, gjithkush sot do të ruajë atë qetësinë e vet dhe nuk do të bëhet shkak i problemit. Meqenëse unë e ritheksoj, nuk është vështirë në territore të vogla, në shoqëri të mirëkontrolluara siç është qyteti i Korçës apo edhe qarku i Korçës, jemi popullata të vogla për syrin e rendit publik. Gjithë këto institucione kanë kapacitete shumë më të mëdha se kaq për të siguruar një rend të mirë dhe një funksion më të mirë.”
Pikërisht këtu, sociologia vendos theksin te parandalimi. Sipas saj, në një territor të vogël si Korça, institucionet e rendit kanë mundësi më të mëdha për të evidentuar grupet apo individët problematikë, për të ndjekur konfliktet dhe për të ndërhyrë përpara se ato të përshkallëzohen. Ajo thotë se masat parandaluese mund të bëjnë diferencën mes një konflikti të zakonshëm dhe një tragjedie.
"Këta të rinj janë lehtë të identifikueshëm. Këta qarkullojnë vetëm në tri rrugë kryesore, 12 lagje gjithsej. Kështu që nuk është vështirë t’i identifikosh, t’i parandalosh, t’i këshillosh, t’u japësh masa paraprake, të mos tolerosh, dhe në këtë rast ne parandalojmë. Parandalojmë raste fatale si rasti i fundit që me të vërtetë na tronditi të gjithëve.”
Duke iu rikthyer konkretisht vrasjes së 21-vjeçarit, Maria Dojçe thotë se, bazuar në informacionet që ka ndjekur në media, konflikti nuk ishte i panjohur dhe se kishte pasur episode të mëparshme. Pikërisht për këtë arsye ajo ngre një nga pyetjet më të forta pas ngjarjes: nëse situata ishte e evidentuar më herët, a mund të ishte ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e saj?
"Ky rast nuk erdhi rastësisht. Së paku nga mediat unë pashë dhe me sa zyrtarisht lexova, rasti ishte i përsëritur. Konfliktet kishin qenë aktuale dhe prezente në ditët e fundit. Konkretisht, agresori ishte marrë disa herë nga forcat e rendit, pra ai duhet të ishte një njeri nën vëzhgim, nuk duhet të ishte i lirë dhe çdo lëvizje e tij duhet të ishte e kontrolluar nga forcat e rendit.”
Sipas sociologes, nëse një person është përfshirë më herët në konflikte dhe është evidentuar nga autoritetet, atëherë kjo duhet të shërbejë si sinjal për ndërhyrje dhe jo vetëm si një episod i veçuar. Ajo e konsideron të domosdoshëm koordinimin mes familjes, shoqërisë dhe institucioneve, pasi asnjë prej tyre, i marrë veçmas, nuk mund ta përballojë i vetëm një problem kaq kompleks.
"Në këtë rast është e parandaluar kjo tragjedi si ai që ndodhi. Me keqardhje thjesht si një qytetare e këtij qyteti thashë që ka neglizhencë të ushtrimit me kompetencë të përgjegjësive dhe detyrave institucionale në këtë rast. Familja patjetër ka rolin e vet, shoqëria ka rolin e vet, por të dyja në mënyrë të shkëputur, pa ombrellën e madhe që janë institucionet shtetërore, nuk mund t’ia dalin.”
Në fund të analizës së saj, sociologia ndalet te një tjetër hallkë e rëndësishme e sistemit, gjykata. Për Dojçen, drejtësia ka një rol vendimtar në mënyrën se si shoqëria vendos standardet e saj dhe në mënyrën se si trajtohen raste të tilla. Ajo përdor një metaforë për të shpjeguar rëndësinë që ka sistemi i drejtësisë në orientimin e shoqërisë.
"Gjykata është timoni i shoqërisë. Nëse ne duam të gjejmë drejtimin se ku duhet të shkojmë, timonieri që na drejton është gjykata. Dhe nëse gjykata e merr timonin të njëanshëm, shoqëria bie në fatalitet. Kështu që nuk do të thosha që gjykata ka ushtruar në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën e saj.”
Pas një ngjarjeje të tillë, debati nuk lidhet vetëm me autorin apo viktimën, por me të gjithë mekanizmat që duhet të funksionojnë përpara se një konflikt të arrijë në pikën e pakthyeshme. Përfshirja në konflikte, aksesi tek armët, heshtja e qytetarëve dhe përgjegjësia e institucioneve janë problematika që kërkojnë ndërhyrje të hershme. Për sociologen Maria Dojçe, tragjedi të tilla duhet të shërbejnë si një alarm për familjen, shoqërinë dhe institucionet. Sepse, sipas saj, qëllimi nuk duhet të jetë vetëm ndëshkimi pasi krimi ndodh, por identifikimi i rrezikut dhe parandalimi i tij përpara se një tjetër i ri të humbasë jetën./ CNA
“KORÇA BOOM”















