top of page

8 Dhjetor/ Dita Kombëtare e Rinisë: 35 vite nga thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Europa"

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 days ago
  • 2 min read

Shënohet sot 8 dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.


Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.


Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.


Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur.


Këtu u shënjua lindja e demokracisë në Shqipëri. Diktatura komuniste nuk e kishte më fuqinë ta mbante të izoluar Shqipërinë. Ajo epokë mbaroi duke i hapur rrugën ekonomisë së tregut të lirë dhe vendosjes së pluralizmit në vendin tonë.


Këto ndryshime të mëdha që nisën në dhjetorin e 27 viteve më parë bënë që data 8 të hynte në histori si dita kombëtare e rinisë.


Në vitin 2009 Kuvendi i Shqipërisë vendosi ta përkujtojë si festë kombëtare në nder të studentëve dhe rinisë shqiptare që besuan dhe shpresuan se Shqipëria duhet të bëhet si gjithë Evropa./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page