top of page

Akuzohet se përvetësoi 700 mln lekë, Apeli lë në burg ish-drejtoreshën e Postës

  • 6 hours ago
  • 2 min read

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e Postës së Durrësit.


Mataj akuzohet për përvetësimin e rreth 700 milionë lekëve, ndërsa çështja ndaj saj vijon të jetë nën hetim.


Apeli nuk ka ndryshuar as masat e sigurisë për dy ish-vartëset e saj, Paola Danaj dhe Valbona Duni. Për të dyja është konfirmuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.


Me vendimin e fundit, Gjykata e Apelit ka lënë të pandryshuara masat e vendosura më herët ndaj të tre të pandehurave, ndërsa organi i akuzës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.


Kujtojmë se, Prokuroria paraqiti në gjykatë të dhëna të reja nga hetimi ndaj Elisabeta Matajt, duke u ndalur edhe te frekuentimi i kazinove nga ajo dhe bashkëshorti i saj. Mataj nuk e ka mohuar se ka frekuentuar këto ambiente, por ka kundërshtuar që kjo të lidhet me ndonjë shkelje ligjore apo me ushtrimin e detyrës.


Hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, kanë përfshirë edhe verifikimin e frekuentimit të ambienteve të lojërave të fatit nga ajo dhe bashkëshorti i saj.


Sipas të dhënave që Prokuroria ka paraqitur, Mataj rezulton të ketë regjistruar 335 hyrje në kazino dhe është identifikuar si frekuentuese e rregullt e një prej ambienteve, “Plaza”.


Sipas organit të akuzës, vetëm gjatë muajit maj, ish-drejtoresha rezulton të ketë hyrë 27 herë në këtë ambient. Në fokus të verifikimeve është edhe bashkëshorti i saj, ndërsa rezulton me 340 hyrje në kazino.


Prokuroria ka referuar gjithashtu të dhëna për shuma të dyshuara si të luajtura në dy kazino në Tiranë. Këto elemente janë përfshirë në verifikimet që po kryhen në kuadër të hetimit.


Mataj nuk e ka mohuar frekuentimin e kazinove, por ka kundërshtuar mënyrën se si ky fakt po lidhet me çështjen penale dhe me detyrën që ajo ushtronte.


“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të ketë deklaruar Mataj para gjykatës.


Të dhënat për hyrjet në kazino dhe shumat e dyshuara të luajtura janë pjesë e pretendimeve dhe verifikimeve të Prokurorisë, ndërsa mbetet në dorën e hetimit të përcaktojë nëse dhe si lidhen ato me akuzat ndaj ish-drejtoreshës./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page