top of page

Alarm për makinat e vjetra, DPSHTRR nxjerr jashtë qarkullimit 2 mijë mjete

  • May 10
  • 1 min read

Mbi 2 mijë automjete janë hequr nga qarkullimi gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, si rezultat i kontrolleve teknike të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).


Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën Janar–Prill 2026 janë testuar gjithsej 126 mijë e 719 mjete në të gjithë vendin, në kuadër të verifikimeve periodike për rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e standardeve teknike.


Pjesën më të madhe të mjeteve të kontrolluara e zënë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende. Konkretisht, janë testuar 112 mijë e 164 automjete, ose 88.5% e totalit të mjeteve të kontrolluara.


Kontrolleve teknike iu nënshtruan gjithashtu 6 mijë e 888 kamionë, 5 mijë e 494 motomjete, 1 mijë e 261 autobusë, 483 rimorkio dhe 429 mjete ndërtimi e punimi toke.


Ndërkohë, 2 mijë e 538 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar

përfundimisht, një shifër kjo 35.3% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Sipas DPSHTRR-së, arsyet kryesore të çregjistrimit lidhen me mungesën e standardeve të sigurisë, amortizimin e lartë, konsumimin e mjeteve dhe mungesën e kushteve teknike për qarkullim.


Autoritetet theksojnë se ky proces synon të rrisë sigurinë në rrugë dhe të kufizojë qarkullimin e mjeteve që paraqesin rrezik për drejtuesit dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page