Alarm! Zjarr pranë Teqesë së Kuzum Babasë, rrezikohen banesat
- 1 day ago
- 1 min read
Një zjarr ka rënë pasditen e kësaj të mërkure në kodrën e Kuzum Babasë, në Vlorë, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Vlorës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre në zonat përreth.
Situata paraqitet shqetësuese pasi pranë vatrës së zjarrit ndodhen banesa, si dhe Teqeja e Kuzum Babasë, një prej objekteve me rëndësi fetare, historike dhe turistike për qytetin e Vlorës.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen pas përfundimit të ndërhyrjes së shërbimeve përkatëse.
“KORÇA BOOM”
















