top of page

Bashkitë e ministritë 5.8 mld lekë detyrime! Bashkia Pogradec 220 milion lekë borxhe. Problem largimet nga puna

  • 9 hours ago
  • 2 min read

Investimet publike po bëhen por shpesh privatët nuk paguhen, ndërsa plaga e vjetër e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve të administratës vijon të rëndojë në buxhet.


Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se detyrimet e prapambetura të ministrive dhe të bashkive janë ulur vjet, por problemet e vjetra mbeten.


Në total borxhet e pushtetit qendror dhe atij vendor ishin 5.8 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga rreth 7.3 miliardë lekë në 2024-ën. Pra janë tkurrur me 1.4 miliardë lekë detyrimet e prapambetura.


DETYRIMET E PRAPAMBETURA

Dhjetor 2024   7,327 mln lekë

Dhjetor 2025   5,847 mln lekë

Diferenca       -1,480 mln lekë


Pushteti qendror ka në total 1.5 miliardë lekë borxhe, ku kryesojnë ministritë e Infrastrukturës, Shëndetësia, Bujqësia dhe më pas Mbrojtja.


BORXHET SIPAS MINISTRIVE

Ministria e Infrastrukturës      332 mln lekë

Ministria e Shëndetësisë         260 mln lekë

Ministria e Bujqësisë              256 mln lekë

Ministria e Mbrojtjes              244 mln lekë


Kurse bashkitë kanë 2.9 miliardë lekë detyrime, lista kryesohet nga Kavaja, Tirana, dhe më pas vjen Pogradeci, Vora e Rrogozhina.


BORXHET SIPAS BASHKIVE

Bashkia  Kavajë            755 mln lekë

Bashkia  Tiranë             570 mln lekë

Bashkia  Pogradec         220 mln lekë

Bashkia Vorë                 184 mln lekë

Bashkia Rrogozhinë      140 mln lekë


Po i njëjti raport evidenton investimet, si shkaku kryesor për krijimin e detyrimeve. Afro 1.6 miliardë lekë borxhe janë vetëm për investime të bëra nga privati por janë të palikujduara nga shteti. Këtë problematikë më së shumti e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa tek pushteti vendor, investimet e papaguara dominojnë tek bashkia Vorë.


BORXHET SIPAS KATEGORISË

Investime                      1,621 mln lekë

Vendime gjyqësore          712 mln lekë

Shërbime                         658 mln lekë


Kategoria e tjetër me vlerën më të lartë të borxheve është ajo e vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me largimet e padrejta nga puna të punonjësve të administratës. Afro 712 milionë lekë detyrime i përkasin kësaj kategorie, ku pjesa më e madhe është e përqendruar tek Ministria Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme.


Për shkak se situata është më problematike tek pushteti vendor me borxhe edhe të trashëguara që nga reforma territoriale e 2015-ës, qeveria dha në fund të vitit të kaluar 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e një pjese të borxheve të bashkive./Shqiptarja 

“KORÇA BOOM”


bottom of page