top of page

Bie masivi shkëmbor në aksin Librazhd-Prrenjas, bllokohet totalisht qarkullimi

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Një masiv i madh shkëmbor ka rënë këtë të diel në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, dhe për pasojë është bllokuar totalisht qarkullimi.


Sipas raportimeve, situata paraqitet alarmante, pasi masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të automjeteve.


Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra, në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.


Ndërkohë, kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht, e cila sipas burimeve në terren konsiderohet shkaktare direkte e kësaj situate, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim minimal për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit.


Situata ka shkaktuar indinjatë për drejtuesit e mjeteve të cilët kanë mbetur të bllokuar prej disa orësh.


Njoftimi i policisë:


Në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.


Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.


Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page