Bizneset nën vëzhgim: Doganat paralajmërojnë për kontroll të rreptë në magazina
- 6 minutes ago
- 1 min read
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka dalë me një paralajmërim të drejtpërdrejtë për bizneset që përdorin regjimin e magazinimit doganor. Administrata kërkon zbatim sa më rigoroz të ligjit për hyrjen, mbikëqyrjen dhe daljen e mallrave nga magazinat doganore, pas shqetësimeve të ngritura nga strukturat e kontrollit.
Ky regjim u lejon kompanive të importojnë mallra dhe t’i mbajnë përkohësisht në magazina të miratuara pa paguar menjëherë detyrimet doganore. Pagesa kryhet vetëm kur malli del në treg ose kalon në një tjetër regjim. Por sipas Doganave, janë vërejtur raste neglizhence dhe moszbatim korrekt i procedurave.
Administrata kërkon që mallrat të dërgohen menjëherë dhe direkt në ambientet e miratuara sapo pranohet deklarata doganore, e cila mund të depozitohet vetëm në zyrat e autorizuara. Magazinimi i mallrave të huaja duhet të justifikohet me nevojë reale biznesi dhe nuk mund të përdoret për të shmangur rregullat territoriale.
Theksohet gjithashtu rëndësia e përshkrimit dhe klasifikimit të saktë tarifor të mallrave. Në magazinë, mallrat duhet të sistemohen në mënyrë që të kontrollohen lehtësisht. Nëse mallra shqiptare dhe të huaja ruhen në të njëjtin ambient, ato duhet të ndahen fizikisht dhe të regjistrohen veçmas.
Bizneset janë të detyruara të dorëzojnë çdo datë 5 të muajit listën e stokut pranë degës doganore mbikëqyrëse. Për mallrat me afat skadimi, si produktet ushqimore, deklarata për daljen nga magazinimi duhet të bëhet të paktën tre muaj para skadencës.
Ky paralajmërim synon të garantojë një funksionim më të sigurt dhe më transparent të magazinimit doganor, duke shmangur neglizhencën dhe shkeljet e procedurave.
"KORCA BOOM"
















