Blerina Matraku përballë turmës dhe frika në Tiranë, se kujt do t’i vijë radha të dalë tek videot e Adit
Prej disa ditësh ka një frikë që endet në Tiranë. Kush është filmuar? Kush do të dalë? Kush e di se ekziston një video e tij dhe fle me ankthin se mos nesër zgjohet në telefonat e gjithë Shqipërisë? Pastaj janë të tjerët, ata që kërkojnë emra, që presin videon tjetër, që përcjellin paralajmërimin se “ka akoma”, të sigurt vetëm për një gjë: se për momentin nuk janë ata.
Në mes të kësaj historie, Blerina Matraku vendosi të mos presë më. Emri i saj kishte nisur të qarkullonte mes emrave të përfolur dhe ajo doli publikisht: “Sot nuk dua të mbrohem, dua të kërkoj falje”. I kërkoi ndjesë publikut, Klaudias dhe vajzave të saj, mori përsipër përgjegjësinë për atë që e konsideron gabimin e saj dhe kërkoi të ndalej linçimi.
Mund të kishte heshtur, të priste që historia të fashitej, që vëmendja të zhvendosej te një emër tjetër, që dikush tjetër të bëhej objekt i turmës së radhës. Zgjodhi të mos e bëjë. Dhe pikërisht kjo është pjesa që vlen të veçohet nga gjithë zhurma e këtyre ditëve: të dalësh vetë përpara në një moment kur gjithçka të shtyn të fshihesh dhe të shpresosh se stuhia do të kalojë në derën tjetër.
Ka njerëz që jetojnë me frikën se mund t’u dalë emri, familje që mund të presin një goditje dhe gra që shohin se çfarë po ndodh e mendojnë se nesër mund të jenë ato. Ka edhe nga ata që heshtin, me shpresën se vala do të kalojë pa i prekur. Blerina Matraku zgjodhi të përballet me të. Pranoi atë që mendonte se duhej të pranonte dhe kërkoi falje për atë që mendonte se kishte për të kërkuar falje, pa pritur të shihte nëse do ta shpëtonte heshtja.
Sepse është gjithmonë më e lehtë që betejën e parë ta bëjë dikush tjetër. Dikush tjetër të marrë sharjet, të përballojë turmën, familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë atë gjyq publik që në Shqipëri ngrihet brenda pak minutash. Pastaj, kur dikush e ka marrë goditjen i pari dhe e ka çarë murin, bëhet më e lehtë edhe për të tjerët. Por nëse ka sot gra apo burra që jetojnë me të njëjtën frikë, nuk mund të presin pafund që Blerina të marrë e vetme gjithë koston e përballjes, ndërsa ata shohin nga larg nëse do t’i kursejë radha.
Kjo histori prek edhe një plagë shumë të vjetër shqiptare: frikën nga turpi. Ende peshojmë jo vetëm atë që kemi bërë, por çfarë do të thotë familja, komshiu, kolegu, miqtë apo njerëzit në rrjetet sociale. Blerina e tregoi vetë sa rëndë e kishte përjetuar këtë moment, kur shkroi se ishte larguar nga shtëpia dhe nuk mund ta shihte të atin në sy. Pikërisht në atë gjendje zgjodhi të fliste, në vend që të priste në heshtje se çfarë do të ndodhte më pas.
Këtu vlen edhe një mësim nga #MeToo, pa barazuar histori që nuk janë të njëjta. Lëvizja e nisur nga Tarana Burke mori përmasa botërore në vitin 2017 pikërisht kur njerëzit nisën të flisnin njëri pas tjetrit. Forca nuk qëndroi vetëm tek e para që foli, por tek fakti se pas saj të tjerat nuk e lanë vetëm. Një zë e bëri më të lehtë zërin tjetër, derisa ajo që deri dje mbahej e fshehur nga frika dhe turpi mund të thuhej publikisht.
Dhe ndoshta ky është momenti që po kalojmë edhe ne, në një përmasë dhe histori krejt tjetër. Prej ditësh presim emrin tjetër, videon tjetër, gruan tjetër mbi të cilën do të bjerë gjithë pesha e turmës. Por shumë më pak po pyesim se sa njerëz po heshtin vetëm sepse shpresojnë që radha të mos mbërrijë tek ata. Blerina Matraku e ndërpreu këtë pritje për veten e saj. Doli, pranoi atë që kishte për të pranuar dhe kërkoi falje.
Ndoshta akti i saj nuk do ta ndalë turmën dhe as do ta mbyllë këtë histori. Por ua heq një alibi atyre që presin në heshtje: se duhet patjetër të vijë dikush tjetër t’i shpëtojë. Sepse frika bëhet pushtet vetëm kur secili përpiqet të shpëtojë vetëm. Dhe humbet fuqinë në momentin kur njerëzit fillojnë të dalin nga heshtja, pa pritur më se kujt do t’i vijë radha./ Thuaje.al
“KORÇA BOOM”
















