Bordi i Transparencës rriti çmimin e naftës, Rama e justifikon: Nuk u vendos arbitrarisht
- 2 hours ago
- 3 min read
Rama justifikon rritjen e çmimit, ndërsa nafta arrin 218 lekë, ndër më të shtrenjtat në rajon.
Ditën e djeshme, Bordi i Transparencës të Hidrokarbureve vendosi rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë dhe të benzinës me 6 lekë për tregun e pakicës.
Nga 203 lekë çmimi i naftës u rrit në 218 lekë për litër. Benzina nga 175 lekë arriti në 181 lekë për litër.
Por për kryeministrin e vendit, Edi Rama ky nuk është një vendim arbitar dhe Bordi i Transparencës (që ka funksion stabilizimin e çmimit) ka reflektuar impaktin e luftës mbi çmimet në tregun e naftës.
“Bordi nuk vendos çmimin arbitrarisht, thjesht dhe vetëm mbikëqyr”, tha kryeministri.
Sipas shefit të qeverisë kjo po bëhet për të shmangur abuzimet, megjithëse ka vetën rritje në dëm të qytetarëve.
“Bordi i Transparencës reflektoi menjëherë edhe uljen e çmimit në vend, duke bërë atë që ka detyrë të bëjë: përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën në dëm të konsumatorit.
Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas.
Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh.
E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve”, tha Rama.
Sipas Ramës, roli i Bordit është të sigurojë transparencë dhe të jetë gjithmonë në vëmendje për të mos lejuar edhe shkelje të vendimeve të tij, të cilat, sipas tij shoqërohen me masa të menjëhershme deri në pezullimin e aktivitetit për operatorët që nuk respektojnë rregullat.
“Deri tani duket se gjithçka funksionon ashtu siç duhet, por do të bëjmë çmos që, deri në përfundim të kësaj situate që nuk varet aspak nga ne, gjithçka të jetë transparente dhe asgjë e tepërt të mos cenojë konsumatorët.”, tha Rama.
Me këto mekanizma qeveria, nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar qytetarët e saj me krizën e rritjes së çmimeve.
Nafta në Shqipëri tregtohet me çmimin më të lartë në rajon. Çmimet më të lira janë në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ku aktualisht karburanti po tregtohet me rreth 1.6 euro për litër. Në Kosovë çmimi u rrit së fundmi në 1.7-1.8 euro/litër, por deri dy ditë më parë ishte rreth 1.6 euro/litër.
Mesatarisht, një përdorues automjeti në Shqipëri e paguan çmimin final mesatarisht 25-40% më shtrenjtë sesa në vendet e tjera të rajonit.
Me 2 mijë lekë, në Shqipëri mund të blesh 9.3 litra naftë, ndërsa në Mal të Zi, me të njëjtën shumë, nëse e këmben merr gati 21 euro dhe blen 13.1 litra, ose 42% më shumë. Diferenca në çmim është aq e lartë sa ia vlen dhe koha e shpenzuar po karburanti i shpenzuar tepër për rrugën deri në kufi.
Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















