Botërori i Klubeve rezervon finalen e madhe europiane, Reali “kafshatë” e lehtë për PSG-në
- Korca Boom
- Jul 9
- 1 min read
PSG mposht me rezultatin e pastër 4-0 Realin e Madridit dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Botës për Klube. Kampionëve e Europës u mjaftoi vetëm një pjesë loje për të prerë biletën për sfidën e së dielës.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrike zhbllokoi ndeshjen në minutën e 6. Dembele bëri presion tek Asensio duke i hequr topin, Fabian Ruiz përfitoi dhe pak hapa larg portës shënoi në katërkëndëshin e mbrojtur nga Kurtua.
3 minuta më vonë, Dembele i vodhi topin Rydiger para mbrojtjes dhe shkoi i qetë para Kurtua dhe dyfishoi shifrat.
Në minutën e 24, kampionët e Francës shpartalluan ekipin e Alonsos, duke gjetur edhe golin e tretë. Zbërthim i plotë i madrilenëve, me një kundërsulm të Hakimit nga e djathta që u finalizua nga Fabian Ruiz. Sulmuesi spanjoll realizoi dopietën e tij personale në këtë ndeshje.
PSG-ja nuk u mjaftua me kaq dhe gjeti edhe golin e katërt në minutën e 88. Tjetër kundërsulm vdekjeprurës i francezëve me Barkola i cili pasoi për Ramos dhe ky i fundit u rrotullua në zonë duke mos gabuar.
PSG do të sfidojë Çelsin të dielën në finalen e madhe. Një finale e gjitha europiane që mbetet për t’u parë dhe shijuar.
“KORÇA BOOM”
