Braho paralajmëron “dorë të fortë”, SPAK merr vetë në dorë arrestimet
- 2 hours ago
- 2 min read
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, ka paralajmëruar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të institucionit, duke deklaruar se SPAK synon të kryejë vetë operacionet për arrestimin e personave në kërkim.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisioni i Reformës Zgjedhore, Braho pranoi se ekziston një shqetësim real për personat në kërkim që vijojnë të mos ndalohen dhe që mund të ndikojnë në proceset zgjedhore.
“Ky është një shqetësim real edhe për ne. Kemi persona me masa sigurimi apo të dënuar në mungesë, vendime që ende nuk janë ekzekutuar,” deklaroi Braho.
Ai bëri të ditur se SPAK po shqyrton një reagim të ri institucional, i cili do t’i japë mundësi prokurorisë të ndërmarrë vetë veprime operative në terren, pa qenë plotësisht e varur nga institucionet e tjera.
Sipas Brahos, ndryshimet nuk do të kufizohen vetëm te arrestimet. Kreu i SPAK zbuloi se institucioni po sheh mundësinë që edhe përgjimet në terren t’i realizojë me strukturat dhe hetuesit e vet.
“SPAK aktualisht është i varur nga institucione të tjera, kryesisht nga Policia e Shtetit, për kryerjen e përgjimeve dhe veprimeve operative. Synimi ynë është të rekrutojmë shërbime dhe të trajnojmë hetuesit tanë që këto veprime t’i kryejmë vetë”, u shpreh ai.
Gjatë raportimit, Braho zbuloi edhe shifrat lidhur me hetimet për krimet zgjedhore gjatë vitit të kaluar, i cili ishte vit zgjedhor. Sipas tij, janë administruar 194 materiale kallëzuese, ndërsa vetëm 5 procedime janë dërguar për gjykim.
Këto shifra u kritikuan nga opozita, e cila ngriti shqetësimin për përkeqësimin e fenomenit të krimit zgjedhor në zgjedhjet e fundit.
Nga ana tjetër, Braho pranoi se ka vend për përmirësim brenda institucionit dhe kërkoi mbështetje ligjore nga Kuvendi për forcimin e luftës kundër krimeve zgjedhore.
Një nga kërkesat kryesore të SPAK është ashpërsimi i dënimeve për krimet zgjedhore, pasi sipas analizës së institucionit, shumë prej personave të dënuar gjatë pesë viteve të fundit kanë shmangur burgun përmes alternativave të tjera ligjore.
“KORÇA BOOM”













