“Më dhunuan në sy të policisë”, analisti rrëfen sulmin nga spitali
- 3 hours ago
- 1 min read
Në një lidhje live nga spitali për emisionin Shqipëria Live, analisti Ilir Demaliaj ka treguar detaje tronditëse nga dhunimi i tij, duke deklaruar se është sulmuar nga dy persona sapo kishte dalë nga shtëpia.
Sipas tij, agresorët e kanë goditur me grushte pasi dyshonin se ai kishte njoftuar policinë për një shkelje parkimi në zonë.“Asgjë, po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes që kanë dyqan aty më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë”, u shpreh Demaliaj.
Analisti theksoi se nuk ka konflikte personale me askënd, por shtoi se prej kohësh ka marrë kërcënime dhe është përballur me urrejtje të vazhdueshme.
“Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot,” deklaroi ai.
Demaliaj ngriti shqetësimin edhe për mungesën e sigurisë dhe reagimin e institucioneve, duke thënë se sulmi ndodhi në prani të policisë.
“Këtu është vendi i cubave. Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. A ka shtet këtu?”, u shpreh ai.
Ai konfirmoi se ka bërë kallëzim për ngjarjen, ndërsa autorët e dyshuar janë identifikuar dhe po kërkohen nga policia.
“KORÇA BOOM”













