top of page

Buxheti 2027, fondet shtesë për pensionet dhe bonusin mundësojnë 1,500 lekë më shumë në muaj

1 minute ago
4 min read

Fondet shtesë që qeveria parashikon për politikat e reja të pensioneve dhe bonusin e pensionistëve në vitin 2027 përfaqësojnë një përfitim mesatar teorik prej 1,529 lekësh në muaj për pensionistët e pleqërisë, ose rreth 18,350 lekë në vit.


Nëse një shumë e tillë do t’i shtohej përherë pensionit çdo vit, do të duheshin rreth 13 vjet për dyfishimin e pensionit mesatar urban dhe tetë vjet për atë rural. Megjithatë, pjesa më e madhe e financimit shtesë për vitin 2027 lidhet me bonusin, i cili nuk përbën rritje të përhershme të pensionit.


Sipas projektbuxhetit 2027, fondet e parashikuara për politikat e reja të pensioneve dhe bonusin arrijnë së bashku në 24 miliardë lekë, nga 11.65 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2026, me një shtesë prej 12.35 miliardë lekësh.


Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se në vitin 2025 numri i pensionistëve të pleqërisë arriti në 641,085 persona. Projeksionet e ISSH-së sugjerojnë një shtim të stokut minimalisht me 16 mijë pensionistë në vit, numri i tyre do të arrinte në rreth 673 mijë në vitin 2027.


Nëse shtesa prej 12.35 miliardë lekësh do të shpërndahej në mënyrë të barabartë vetëm mes pensionistëve të pleqërisë, përfitimi mesatar do të ishte 18,348 lekë në vit, ose 1,529 lekë në muaj.


Nga kjo shumë, 10 miliardë lekë përfaqësojnë rritjen e fondit të bonusit, ndërsa 2.35 miliardë lekë janë shtesa për politikat e reja të pensioneve.


Pjesa e bonusit përfaqëson rreth 1,238 lekë në muaj për pensionist, ndërsa fondi shtesë i politikave të reja rreth 291 lekë. Këto vlera janë ekuivalente mujore të financimit shtesë vjetor dhe jo domosdoshmërisht pagesa që do të kryhen çdo muaj.


Rritja e pensionit mesatar urban gjatë viteve të fundit ka qenë relativisht e ngadaltë. Nga 17,258 lekë në vitin 2021, ai arriti në 20,123 lekë në vitin 2025, me një shtesë prej 2,865 lekësh në katër vjet, ose mesatarisht rreth 716 lekë në vit.


Nëse pensionit mesatar urban prej 20,123 lekësh do t’i shtoheshin çdo vit nga 1,529 lekë në muaj, në mënyrë të përhershme ai do të dyfishohej pas rreth 13 viteve.


Për pensionin rural prej 12,313 lekësh, dyfishimi me të njëjtën shtesë fikse vjetore do të kërkonte rreth tetë vjet.


Por ky skenar supozon që buxheti të krijojë çdo vit një shtesë të re financimi të barasvlershme me atë të vitit 2027 dhe që ajo të përkthehet në rritje të përhershme të pensionit. Projektbuxheti nuk garanton një politikë të tillë për vitet e ardhshme.


Nëse merret si referencë ritmi real historik i pensionit mesatar urban në periudhën 2021–2025, që korrespondon me një rritje mesatare nominale prej rreth 3.9% në vit, dyfishimi do të kërkonte rreth 18 vjet, në rast se ky ritëm do të vazhdonte pa ndryshim.


Pensionet në rajon, Shqipëria mbetet pas


Diferencat me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten të konsiderueshme, veçanërisht në krahasim me Malin e Zi dhe Serbinë.


Sipas Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Malit të Zi, pensioni mesatar në dhjetor 2025 ishte rreth 543 euro në muaj.


Në Serbi, pensioni mesatar pas rritjes së dhjetorit 2025 arriti në rreth 485 euro, sipas Fondit Republikan të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.


Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se pensioni mesatar i pleqërisë në shtator 2025 ishte 28,789 denarë, ose afërsisht 468 euro, ndërsa mesatarja e të gjitha pensioneve ishte rreth 442 euro.


Në Shqipëri, pensioni mesatar urban i pleqërisë prej 20,123 lekësh në fund të vitit 2025 ishte afërsisht 205 euro, ndërsa ai rural prej 12,313 lekësh rreth 125 euro, sipas një kursi orientues prej 98 lekësh për euro.


Pensioni mesatar urban në Shqipëri rezulton kështu më pak se gjysma e niveleve mesatare të raportuara në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.


Megjithatë, krahasimi nuk është plotësisht homogjen. Shqipëria raporton veçmas pensionet urbane dhe rurale të pleqërisë, ndërsa shifrat e Serbisë dhe Malit të Zi i referohen mesatares së të gjitha kategorive të pensioneve.


Në Serbi, pensionet u rritën me 24.4% nga dhjetori 2024 në dhjetor 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut pensioni mesatar në shtator 2025 ishte 14.5% më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm.


Rritja e numrit të pensionistëve kufizon efektin e fondeve shtesë


Një faktor që ndikon mbi mundësinë e rritjes së pensioneve në Shqipëri është shtimi i vazhdueshëm i numrit të përfituesve. Nga 557,017 pensionistë pleqërie në vitin 2021, numri i tyre arriti në 641,085 në vitin 2025, me një shtesë prej rreth 84 mijë personash në katër vjet.


Ndërkohë, projektbuxheti 2027 parashikon që fondi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore të rritet me 5.2%, nga 204.96 miliardë lekë në vitin 2026 në 215.59 miliardë lekë në vitin 2027.


Një pjesë e kësaj rritjeje duhet të përballojë zgjerimin e numrit të përfituesve dhe detyrimet e tjera të skemës. Për këtë arsye, shtimi i fondeve të sigurimeve shoqërore nuk përkthehet automatikisht në të njëjtën normë rritjeje për pensionin mesatar individual.


Mbështetja përmes bonusit sjell të ardhura shtesë për pensionistët në vitin kur shpërndahet, por, ndryshe nga rritja e pensionit bazë, nuk krijon automatikisht një përfitim të përhershëm për vitet pasardhëse.


Nga 12.35 miliardë lekë shtesë të parashikuara në dy zërat buxhetorë për vitin 2027, rreth 81% i përket rritjes së fondit të bonusit dhe vetëm 19% rritjes së fondit për politikat e reja të pensioneve. /Monitor/

“KORÇA BOOM”


bottom of page