Buxheti 2027 kalon mes debateve dhe errësirës, miratohet me 80 vota pro
Pas 14 orësh debatesh, Kuvendi miratoi në parim Buxhetin 2027 me 80 vota pro dhe 25 kundër, si dhe ligjet shoqëruese të paketës fiskale. Seanca maratonë u shoqërua me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa nuk mungoi as ndërprerja e energjisë elektrike. Në momentin kur u fikën dritat, deputetët e opozitës nisën thirrjet në kor: “Rama, jep dorëheqjen!”.
Pas 14 orësh diskutimesh, përplasjesh politike dhe madje errësirës, Kuvendi ka mbyllur seancën maratonë me miratimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2027, me 80 vota pro dhe 25 kundër. Krahas tij, kanë kaluar edhe projektligjet shoqëruese të paketës fiskale, që sjellin ndryshime në taksa dhe tatime për qytetarët dhe bizneset.
Pak para votimit pati disa ndërprerje të energjisë elektrike. Situata nuk ka kaluar pa reagimin e opozitës. Sapo janë fikur dritat, deputetët opozitarë kanë nisur thirrjet në kor: “Rama, jep dorëheqjen!”
Ndriçimi në sallë ka vijuar të luhatet herë pas here, ndërsa për pak sekonda në errësirë është zhytur edhe pjesa e jashtme e godinës së Kuvendit.
Pas disa minutash u kthye normaliteti dhe më pas u krye votimi. Buxheti i vitit të ardhshëm, i cili kap vlerën e rreth 10 miliardë eurove, është prezantuar nga qeveria si më i madhi në historinë e vendit. Gjatë diskutimeve, ministrat dhe deputetët e mazhorancës mbrojtën fondet për pensionet, pagat, shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe investimet publike, ndërsa opozita kundërshtoi politikat fiskale dhe mënyrën e shpërndarjes së parave.
Një nga ndryshimet kryesore të paketës fiskale është rritja e normës standarde të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 21%. Paralelisht, parashikohet ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës bazë ushqimore, ku përfshihen buka, mielli, qumështi, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku, frutat dhe perimet.
Qeveria e ka argumentuar këtë masë me synimin për të ulur koston e produkteve ushqimore për familjet. Megjithatë, ulja e tatimit nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në treg, pasi kjo varet edhe nga mënyra se si bizneset e reflektojnë ndryshimin fiskal.
Paketa parashikon gjithashtu rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe ndryshimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Sipas Ministrisë së Financave, synimi është lehtësimi i barrës për shtresën e mesme dhe rritja e kontributit të individëve me të ardhura më të larta.
Një tjetër ndryshim prek bizneset, pasi pragu i regjistrimit në TVSH parashikohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Kjo do të thotë se edhe subjekte me qarkullim më të ulët se kufiri aktual do të përfshihen në regjimin e TVSH-së.
Ndryshime parashikohen edhe në taksimin e automjeteve. Taksa e qarkullimit synohet të zhvendoset nga karburantet te taksa vjetore e mjetit. Paketa përfshin gjithashtu vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit, në kuadër të përafrimit me direktivat e Bashkimit Europian.
Sa i përket pensioneve, projektbuxheti parashikon dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive përfituese, duke nisur nga 1 janari 2027. Gjithashtu, në prill është planifikuar indeksimi i pensioneve, me një fond shtesë prej rreth 1,35 miliardë lekësh.
Për mbrojtjen sociale janë parashikuar 279,7 miliardë lekë, ose rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Mes masave të prezantuara nga qeveria është edhe ndryshimi i skemës së bonusit të bebeve, duke kaluar drejt mbështetjes mujore për fëmijët deri në moshën pesë vjeç.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu rritjen e mbështetjes mujore nga 10 mijë në 25 mijë lekë për 5.600 studentë nga familjet në nevojë, si dhe fonde shtesë për strehimin social, subvencionimin e kredive dhe mbështetjen e familjeve të reja.
Në sektorin e rendit dhe sigurisë, qeveria ka prezantuar rritjen me 20 mijë lekë të reja të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Financime shtesë janë parashikuar edhe për mbrojtjen, kërkimin shkencor dhe bujqësinë.
Seanca maratonë u shoqërua me replika të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa gjatë diskutimeve pati edhe një ndërprerje të energjisë elektrike në godinën e Parlamentit. Në momentin kur u fikën dritat, deputetët e opozitës nisën thirrjet në kor “Rama, jep dorëheqjen!”.
Me votimin e kësaj seance, projektbuxheti dhe paketa fiskale kalojnë fazën e miratimit në parim. Ato do të vijojnë shqyrtimin në komisionet parlamentare, përpara votimit përfundimtar nen për nen në Kuvend.
“KORÇA BOOM”
















