Dalin detaje të reja nga dhunimi i ish-kryetarit të PD
- 2 hours ago
- 1 min read
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e kaluar në Lezhë, ku ish-kryetari i PD-së në njësinë administrative të Dajçit, në Zadrimë, është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.
Shtetasi Sokol Toma, 53 vjeç, është goditur me sende të forta dhe për shkak të plagëve të marra është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura në këmbë dhe dëmtim serioz në pjesën e veshit. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në repartin e ortopedisë dhe po merr trajtim mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në aksin Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhak.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar dhe e kanë sulmuar me sende të forta, ndërsa pas dhunimit i kanë marrë edhe telefonin celular.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
“KORÇA BOOM”
















