Debati i fortë PD-PS për reformën territoriale: Si do të vendosen bashkitë
- Mar 14
- 1 min read
Parlamenti ka vetëm katër muaj kohë për të miratuar reformën territoriale, përpara se të mbyllet sesioni parlamentar. Deri më tani, PD dhe PS nuk kanë arritur të zhvillojnë dëgjesat e kërkuara në terren, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e organizimit.
Në mbledhjen e së mërkurës, mazhoranca propozoi që anëtarët e komisionit të zhvillojnë takime në çdo bashki me kryetarët e bashkive, kryetarët e këshillave bashkiakë të mazhorancës dhe opozitës, ekspertë lokalë dhe në fund edhe me banorët.
Opozita ka kundërshtuar këtë format, duke argumentuar se një axhendë e tillë do të zgjaste shumë procesin. Ata propozojnë që dëgjesat të zhvillohen në komisionin parlamentar vetëm me kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit politikë, ndërsa takimet në terren të kufizohen vetëm tek banorët e zonave.
Debati mbi reformën territoriale ka përfshirë edhe diskutime jozyrtare për reduktimin e numrit të bashkive. Berisha ka deklaruar se PS synon që të ketë vetëm 32 bashki, ndërsa PD ka propozuar mbi 61 bashki. Një variant tjetër diskuton heqjen e disa kompetencave nga bashkitë e vogla, duke i kaluar ato në bashkitë qendër përmes një ndryshimi ligjor.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur ndonjë hap konkret për rishikimin e ligjit, ndërsa afatet e parlamentit po shkurtohen.
"KORCA BOOM"
















