“Pasqyra e Çmimeve”/ Sa premtuese është nisma e qeverisë? EKSPERTËT propozojnë modelin grek
“Pasqyra e Çmimeve”, platforma e re digjitale e propozuar nga qeveria synon t’u mundësojë qytetarëve krahasimin e çmimeve të produkteve në pika të ndryshme shitjeje, si masë kjo për të frenuar rritjen e mëtejshme apo edhe për të shmangur abuzimin me çmimet.
Çmimet e larta të produkteve të shportës bazë të ushqimeve si dhe marzhet e fitimit të grosistëve ishin në fokus të një takimi të kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të rrjeteve të shitjes dhe furnitorët e mëdhenj gjatë javës së fundit, kur edhe u propozua nisma.
Platforma “Price Watch Albania” u premtua se do të jetë gati brenda 30 shtatorit dhe do t'u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë online çmimet e produkteve në supermarkete të ndryshme.
Rama kritikoi bizneset për mungesën e bashkëpunimit, pasi sipas tij vetëm një operator i është përgjigjur deri tani kërkesës për të dorëzuar të dhënat e nevojshme për platformën.
Qeveria sqaroi mbi planin e saj se nuk kërkon t'u caktojë çmimet bizneseve apo t'u mohojë fitimin, por kërkon që tregu të funksionojë me më shumë konkurrencë dhe konsumatorët të mos rëndohen nga çmime që, sipas tij, janë më të larta se duhet.
Eksperti i ekonomisë si dhe presidenti i Nderit në Universitetin Europian të Tiranës, Selami Xhepa, teksa analizoi nismën e qeverisë shqiptRe për "MAPO.al" si propozim përmendi modelin grek.
"Ideja e Pasqyrës së Çmimeve është pozitive, por mendoj se nuk është e mjaftueshme për të ndikuar në një mënyrë të fortë te çmimet e tregut. Transparenca e Çmimeve i bën ato më lehtësisht te krahasueshme dhe teorikisht kjo mund të krijojë më shumë konkurencë mes operatorëve të tregut", thekson Xhepa. - "Për rrjedhojë mund të pritet një zhvendosje drejt Çmimeve më të ulëta".
"Ndoshta një nismë si ajo që ndërmori Greqia", - vijon ai, - "mund të kishte nje efekt edhe me të e fortë".
Shembulli i Greqisë
Më shumë se 1,600 produkte kryesore të konsumit të përditshëm dolën në shitje në fillim të këtij muaji në Greqi, me çmime më të ulëta, si pjesë e një përpjekjeje qeveritare për të adresuar krizën e kostos së jetesës përmes marrëveshjeve të synuara me furnitorët.
Sondazhet e opinionit publik kanë treguar se inflacioni, përfshirë rritjen e kostos së ushqimeve dhe mallrave të tjera të konsumit, si dhe qiratë dhe shërbimet, është ndër shqetësimet kryesore të grekëve. Iniciativa e re e qeverisë greke mbulon ushqimin dhe artikujt e domosdoshëm të përditshëm, si dhe furnizimet shkollore përpara fillimit të vitit shkollor muajin e ardhshëm.
Sipas kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis, i cili do të shkojë në zgjedhje vitin e ardhshëm, programi do të çojë në ulje çmimesh prej 5%-7% gjatë dy deri në katër muajve të ardhshëm.
Deri më tani, më shumë se 90 kompani me shumicë, 12 rrjete supermarketesh dhe tre rrjete lodrash dhe furnitorësh shkollorë i janë bashkuar programit.
Çmimet e reduktuara do të shënohen me afishe speciale, ndërsa konsumatorët do të jenë gjithashtu në gjendje të kontrollojnë platformën online për të parë se cilat produkte përfshihen, madhësinë e zbritjes dhe ku janë të disponueshme.
Propozimi i ekspertit
"Nëse furnizuesit dhe distributorët kryesorë do të angazhohen në ruajtjen e marzheve më modeste të fitimeve" - thotë Selami Xhepa, - "mund të pritej një ulje më domethënese e Çmimeve. Ndërkohë, një rrënjë më e fortë e Çmimeve do të kërkonte edhe një ndërhyrje më aktive përmes një reduktimi të fortë të TVSH-së, në disa nga produktet kryesore të konsumit, ngjashmërisht me praktikën e shumicës së vendeve europiane. Kjo masë, kombinuar me transparencën e Çmimeve ku duhet të shfaqen çmimi i produktit + TVSH, do ta bënte reduktimin e TVSH-së instrument efektiv që lehtësimi të kalojë tek konsumatori".
Çfarë tregojnë shifrat?
Në vitin 2025, shifrat tregojnë se niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 103% të mesatares së Bashkimit Europian, duke kaluar për herë të parë mbi 100%.
Nga ana tjetër PBB-ja për frymë e Shqipërisë në 2025-n ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së.
Në vitin 2005, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte vetëm 73.8% e mesatares së BE-së. Në vitet 2013-2015, ushqimet kushtonin vetëm rreth 67% të mesatares europiane. Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve kaluan mesataren e BE-së. Serbia ishte në 96.6% të mesatares europiane, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina në 84.6% dhe Maqedonia e Veriut në vetëm 74.3%.
Në korrik 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% me bazë vjetore, pesë herë më shpejt se mesatarja e BE-së prej 0.6%. Në Serbi, ndërkohë, çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë dhe në Maqedoninë e Veriut 0.3% më të ulëta.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, zhvlerësimi i euros dhe rënia e inflacionit të importuar, të përmendura nga kreu i qeverisë, duhet të ishin reflektuar në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Përmes “Price Watch Albania”, bazuar në planin e qeverisë, qytetarët do të mund të shohin dhe krahasojnë çmimet për të njëjtat produkte në rrjete të ndryshme. Supermarketeve u kërkohet të dorëzojnë të dhënat për produktet, përfshirë barkodin, markën, gramaturën dhe përshkrimin, si dhe listën e pikave të shitjes dhe adresat e tyre.
“KORÇA BOOM”
















