Deklaruesja nxjerr zbuluar korrupsionin/ Veliaj firmoste fonde, Ajola Xoxa ushtronte presion
- Korca Boom
- Jul 31
- 3 min read
CNA po sjell të tjera detaje që nxjerrin në pah skemën korruptive të çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa.
Teksa SPAK ua ka komunikuar akuzat Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, nga dosja zbardhen të tjera detaje që zbulojnë se si Veliaj firmoste fonde për OJF-të e bashkëshortes së tij.
Një rast të tillë e tregon vetë ish-drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina.
Ja çfarë deklaron ajo.
Ish-drejtoresha Abigeila Voshtina, në deklarimet e saj para prokurorëve, ka sqaruar se është takuar vetëm dy herë me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliajn.
Hera e parë ishte për ndihmë financiare për mbulimin e kalendarit të ngjarjeve artistike të muajit nëntor 2022 për të cilin TKOB nuk kishte fonde.
Në deklarimet e saj ajo ka bërë me dije se Veliaj i ka sugjeruar që të përdoret një OJF përmes së cilës bashkia do të mund të mbështesë financiarisht projektin.

Pra, skema duket të jetë e tillë, paratë publike të dilnin nga bashkia dhe të përfundonin në xhepat e bashkëshortes së kryebashkiakut.
E pyetur për marrëdhëniet me shtetasen Ajola Xoxa, ajo është shprehur se në korrik të 2022-shit është takuar në një pastiçeri përballë Sky Tower, ku kanë diskutuar për datat e Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit, por jo për buxhetin. Ajo pranon se ka qenë një herë në zyrat e Ajolës në katin e 10-të në Sky Tower, por nuk kujton arsyen e vizitës.
Në lidhje me organizimin e festivalit, Voshtina pranon se ka zhvilluar takime me Ajola Xoxën dhe Tim Newman, të cilat shpesh janë zhvilluar në zyrën e saj në TKOB ku kanë qenë të pranishme edhe shtetaset Ketrina Braho dhe Ada Gura. Ajo konfirmon se qendrën “Harabel” e lidh menjëherë me Ajola Xoxën dhe se ka qenë organizata që ka financuar projektin.
Në lidhje me një kontratë qiraje të lidhur me shoqërinë “Rametal” sh.p.k., Voshtina u njoh me dokumentin në datën 20.09.2023, të cilin e kishte nënshkruar ajo vetë.
Ajo sqaroi se kontrata është hartuar me kërkesë të Ajola Xoxës, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën.
Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte me përfaqësues të “Rametal” dhe nuk ka marrë pjesë në negociata.
Sipas saj, Ajola kishte iniciuar të gjitha diskutimet financiare dhe teknike në bashkëpunim me Tim Newman dhe një ekonomiste të përfshirë nga vetë “Harabel”.

Krisja me Ajola Xoxën
Deklaruesja kujton një takim në Ministrinë e Kulturës me Ajola Xoxën dhe Tim Newman dhe sekretaren e përgjithshme Zerina Bruci, ku u diskutua buxheti për shfaqjet “Sonoma” dhe “Gravirty”.
Ajola Xoxa kishte kërkuar që një shumë prej 240 mijë eurosh të menaxhohej nga qendra “Harabel”, gjë me të cilën deklaruesja shpjegon se nuk ishte dakord, pasi, sipas saj, fondet publike duhej të menaxhoheshin nga teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme. Sipas saj kjo solli edhe krisjen e raportit mes saj dhe Ajolës.
Më tej, ajo deklaron se kishte vështirësi me kohën dhe procedurat duhej të zhvilloheshin gjatë muajit gusht, periudhë në të cilën stafi administrativ i teatrit ishte i reduktuar. Për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj, ajo deklaron se e ndjeu veten të detyruar të firmoste dokumente, ndonëse nuk ishin konform ligjit. Teatri nuk kishte kapacitet për të realizuar të gjitha prokurimet, ndaj procedura për ndriçimin mbeti e vetmja që u zhvillua nga vetë institucioni.

Më tej deklaruesja tregon se sa u takon biletave dhe ftesave ajo kishte rezervuar tre rreshta për personalitete sipas protokollit, por Ajola kishte marrë përsipër shpërndarjen e tyre. Në një moment biletat ishin shpërndarë pa dijeninë e saj nga Ajola dhe stafi i saj e për këtë kishte pasur një përplasje me Ajola Xoxën.
Deklaruesja i kishte kërkuar që vlera e biletave të ishte në përputhje me të ardhurat që duhet të depozitoheshin në Thesarin e Shtetit. Sipas saj, Ketrina Braho ka sjellë më vonë shumën e përfituar nga biletat, e cila është depozituar në thesar.
Teksa shohim këto deklarime, ajo që kuptohet rrjedhimisht është se Erion Veliaj është kujdesur mjaft mirë që fondet edhe kur jepeshin për institucione të tjera të përfundonin në xhepat e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa./ CNA
“KORÇA BOOM”


















