Del kalendari zyrtar, sa ditë pushime do të kemi gjatë 2026
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Festat zyrtare përbëjnë një element të rëndësishëm të identitetit kombëtar, pasi lidhen drejtpërdrejt me historinë, traditat dhe besimet e një shoqërie.
Shqipëria ka një kalendar të përcaktuar festash publike, që përfshin si festa fetare ashtu edhe ato kombëtare, të sanksionuara zyrtarisht.
Sipas kalendarit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, në vend janë shënuar gjithsej 15 ditë feste zyrtare, si dhe 2 ditë pushimi të veçanta.
Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe e premtja, 26 dhjetor, të shpallet ditë pushimi për administratën publike, duke e zgjatur kështu periudhën e pushimeve të Krishtlindjes.
Meqenëse 25 dhjetori është festë zyrtare, administrata publike përfiton dy ditë pushimi radhazi, ndërsa institucionet do t’i rikthehen normalisht punës ditën e hënë pasuese.
Për vitin 2026, kalendari paraprak i festave zyrtare, i publikuar gjithashtu nga Banka e Shqipërisë, parashikon sërish 15 ditë pushimi zyrtar. Referuar analizës së “Scan Intel”, nga këto festa, 6 janë me karakter fetar, ndërsa 9 janë festa jo fetare.
Në krahasim me vendet e tjera në botë, Shqipëria konsiderohet si një vend me numër relativisht të ulët festash zyrtare.
Por në nivel europian, vendi renditet ndër shtetet me më shumë ditë pushimi publik. Në rajon, Kosova ka gjithsej 12 ditë pushimi zyrtar, ndërsa Shqipëria renditet pas Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilat kanë përkatësisht 16 dhe 23 ditë pushimi.
Festat zyrtare nuk janë vetëm ditë pushimi, por edhe momente që reflektojnë identitetin kulturor, historik dhe fetar të shoqërisë shqiptare, duke shërbyer si element bashkues dhe si një mundësi për ruajtjen e traditave ndër breza.
Kalendari i festave zyrtare për vitin 2026:
Banka e Shqipërisë është e mbyllur ditëve të shtuna dhe të diela si dhe në ditët e festave zyrtare në vijim:
01 janar 2026 | Festat e Vitit të Ri |
02 janar 2026 | Festat e Vitit të Ri |
14 mars 2026 | Dita e Verës* |
20 mars 2026 | Dita e Bajramit të Madh** |
22 mars 2026 | Dita e Nevruzit* |
05 prill 2026 | E diela e Pashkëve Katolike* |
12 prill 2026 | E diela e Pashkëve Ortodokse* |
01 maj 2026 | Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve |
27 maj 2026 | Dita e Kurban Bajramit** |
05 shtator 2026 | Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës* |
22 nëntor 2026 | Dita e Alfabetit* |
28 nëntor 2026 | Dita Flamurit dhe e Pavarësisë* |
29 nëntor 2026 | Dita e Çlirimit* |
08 dhjetor 2026 | Dita Kombëtare e Rinisë |
25 dhjetor 2026 | Krishtlindjet |
* Në rastet kur festa apo festat zyrtare bie/bien në ditën apo ditët e pushimit javor (e shtunë dhe/ose e diel), atëherë pushimi shtyhet në ditën apo ditët pasardhëse të punës (e hënë dhe e martë). Banka e Shqipërisë është e mbyllur në datat 16 mars, 23 mars, 6 prill, 13 prill, 7 shtator, 23 nëntor, 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2026.
**Shënim: Data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh mund të ndryshojë sipas kalendarit hënor. Në rast se do të ketë ndryshime, do të viheni në dijeni me një njoftim të dytë. /skyweb.al
“KORÇA BOOM”



















