Delegacioni i stafit akademik, të Universitetit "Isa Boletini" i Mitrovicës vizitoi Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë
- Apr 18, 2025
- 2 min read
Një delegacion i përbërë nga staf akademik, ndihmësakademik dhe administrativ i Universitetit "Isa Boletini" i Mitrovicës vizitoi Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë.
Fillimisht drejtues të dy universiteteve zhvilluan një takim në mjediset e rektoratit, ku u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit, me qëllim që marrëveshjet e nënshkruara të mos mbeten vetëm në letër. Ata u ndalën në projekte e veprimtari të përbashkëta, në shkëmbime të stafit e studentëve etj.
Më pas, stafet e të dy institucioneve zhvilluan një takim të përbashkët në mjediset e amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.
Në fjalën e mirëseardhjes rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndër të tjera tha: “Kjo vizitë njëditore për ne është më shumë se një takim formal, është një mundësi konkrete për shkëmbim përvojash, për njohje më të thellë e forcimin e lidhjeve mes dy universiteteve që ndajnë shumë të përbashkëta. Roli i stafit ndihmësakademik dhe administrativ në funksionimin e Universitetit është themelor. Ju jeni ata që mbani në këmbë strukturën e përditshme që nga shërbimet për studentët, mbështetja për stafin akademik, organizimi i dokumentacionit, teknologjia, burimet njerëzore e deri te komunikimi institucional dhe menaxhimi financiar”.
Ai i ftoi më pas miqtë nga Kosova të njihen nga afër me Universitetin “Fan S. Noli”, të vizitojnë mjediset dhe strukturat tona, të shkëmbejnë ide me kolegët dhe të eksplorojnë mënyrat se si organizohet jeta universitare në Korçë.
Takimin e përshendeti edhe rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Mitrovicë, prof. dr. Nurten Deva, e cila falënderoi Universitetin tonë për pritjen e organizuar, duke theskuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet kolegësh.
Më pas, miqtë nga Kosova vizituan mjediset e UNIKO, ku u mirëpritën në takime edhe nga drejtues e stafi i fakulteteve të tij.
“KORÇA BOOM”


















