Devolli dominon, por Bylisi B shpëton në minutat e fundit
- Mar 1
- 1 min read
Devolli zhvilloi një ndeshje me grintë dhe luftë të fortë sportive ndaj Bylisit B, në një takim që e dominoi pothuajse në të gjitha aspektet.
Devollinjtë ushtruan presion që në minutat e para dhe zhbllokuan sfidën shumë shpejt. Në minutën e 2-të, Xhoni Ivani shfrytëzoi kthimin e topit nga portieri Beqaj dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Pas golit, loja u kontrollua nga Devolli, që nuk u dha hapësira kundërshtarëve për të rrezikuar portën. Madje, në disa raste pati pretendime për tre penallti, pasi lojtaret e Bylisit dyshohet se prekën topin me dorë brenda zonës, por gjyqtari nuk akordoi asnjë 11-metërsh.
Në pjesën e dytë ishte Bylisi që fitoi një penallti, por Abdulla gaboi nga pika e bardhë, duke e dërguar topin jashtë portës.
Kur dukej se Devolli po shkonte drejt një fitoreje të merituar, shtatë minuta para fundit erdhi goli i barazimit. Akibu realizoi me kokë, duke vendosur ekuilibrat në rezultat.
Gjithsesi, Devolli merr një pikë më se të merituar, duke ndalur një nga pretendentët për ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe duke konfirmuar formën e mirë në këtë fazë të sezonit.
"KORCA BOOM"
















