Djalë i shkëlqyer dhe i sjellshëm – Fqinjët kujtojnë Erald Xhejon pas vrasjes
- Korca Boom
- Aug 15
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik ditën e djeshme, ku një 14-vjeçar humbi jetën pasi u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Viktima, Erald Xhejo, u qëllua në zemër dhe ndërron jetë pak minuta më pas në vendin e ngjarjes.
Një fqinj i familjes ka rrëfyer për mediat dhimbjen dhe tronditjen e madhe që ndjehet në lagje. Sipas tij, Eraldi ishte një djalë i sjellshëm dhe me edukatë shembullore.
"E njoh familjen, familje e mirë sa më s'ka. Djali i shkëlqyer, kalonte në rrugë e të respektonte në një mënyrë të atillë, ishte e pamundur ta mendoje diçka të tillë. Të lë pa fjalë.
Autori është nga fshati tjetër, nuk di çfarë të them për të," tha fqinji.
Ndërkohë, autoritetet kanë intensifikuar hetimet dhe deri tani janë arrestuar tetë persona të lidhur me ngjarjen. Autori i dyshuar, E. Guri, është aktualisht në gjendje të rëndë psikologjike, gjë që ka penguar marrjen e tij në pyetje nga grupi hetimor.
Pritet që gjatë ditës së sotme, në prani të psikologut, avokatit dhe familjarëve, të merret dëshmia e tij. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja ka ardhur si pasojë e një goditjeje të vetme me thikë në zemër. Plaga është konsideruar fatale.
Pas ngjarjes, i dyshuari ka tentuar të largohet me makinë. Xhaxhai i tij ka ndërhyrë duke marrë thikën nga vendngjarja, e ka larë dhe më pas e ka fshehur, duke penguar hetimet. Ky veprim është tashmë pjesë e dosjes hetimore.
Autoritetet vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje tragjike.
“KORÇA BOOM”



















