top of page

Skandali i SHISH, Klodiana Lala zbulon “sekretet shtetërore” që Vlora Hyseni i dha Ergys Agasit

21 minutes ago
2 min read

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me akuzat ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.


E ftuar ne emisionin Opinion, Lala tha se hetuesit dyshojnë se Hyseni ka vënë në dispozicion të biznesmenit Ergys Agasi informacione të siguruara për shkak të pozicionit të saj në krye të SHISH-it, të cilat nuk ishin të destinuara për t’u bërë publike.


Dyshimet, sipas Lalës, janë ngritur mbi prova të siguruara nga pajisje përgjimi, të dhëna të administruara nga telefoni në momentin e arrestimit të Agasit, si dhe nga vëzhgimet e kryera gjatë hetimit. Mes materialeve dyshohet se ka edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit. Hyseni dyshohet se ka informuar Agasin për lëvizje dhe veprime të strukturave policore, duke i vënë në dispozicion informacione që lidhen me infrastrukturën dhe veprimet e autoriteteve gjatë kohës që ai ishte në kërkim.


“Prokuroria e Posaçme ka dyshime për dy vepra penale: nxjerrje e sekretit hetimor dhe shtetëror për shkak të detyrës dhe përkrahje e autorit të krimit. Tani, përkrahje e autorit të krimit, sipas të dhënave të siguruara nga pajisje përgjuese, nga telefonat në momentin e arrestimit të Agasit dhe ish-zyrtarit tjetër të lartë, Uljan Shpataraku, por dhe nga të dhëna që vijnë përmes dëshmive të bëra nga vetë Byroja Kombëtare e Hetimit, këqyrja e kamerave të sigurisë e të tjera me radhë, është arritur në konkluzionin, sipas dyshimeve të deritanishme, prezumohet zonja e pafajshme që ajo ka vënë në funksion të Ergys Agasit të gjithë infrastrukturën për ta përkrahur gjatë gjithë kohës që ishte në arrati”, tha ajo.


Gjithashtu, dyshohet se ish-drejtuesja e SHISH-it i ka dhënë Agasit informacione personale që lidheshin drejtpërdrejt me të gjatë periudhës kur ishte në kërkim, por edhe të dhëna dhe dokumente për persona të tjerë, të cilat ajo dyshohet se i kishte siguruar falë funksionit që mbante.


Sipas gazetares Klodiana Lala, mbi bazën e materialeve të administruara gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme në këtë fazë për caktimin e masave të sigurisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page