Rama i vendosur për Reformën Territoriale: Nuk cënohen shërbimet, në Korçë do të rriten investimet
Kryeministri Edi Rama është i vendosur për të bërë Reformën Territoriale dhe shkrirjen e bashkive. Edhe pse në një takim të fundit në Poliçan pati përplasje me banorët dhe një pjesë e tyre braktisën takimin, Rama thekson se shkrirja e bashkive nuk cenon shërbimet.
Këtë të mërkurë, Rama e vijoi turin e konsultimeve në Korçë, ku në qendër të diskutimeve ishte Bashkia e Maliqit, e cila sipas propozimit të socialistëve pritet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Korçës.
Përballë shqetësimeve të banorëve të Maliqit, kryeministri këmbënguli se ndryshimi i hartës territoriale nuk do të largojë shërbimet nga qytetarët. Sipas tij, riorganizimi do të krijojë njësi më të mëdha, me më shumë kapacitete financiare dhe mundësi për investime.
Kryeministri theksoi se bashkimi do t'u japë njësive të reja më shumë mundësi edhe për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian.
“Është shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj kjo që po bëjmë sot. Për të gjithë ju, por në radhë të parë për fëmijët dhe për mirëfunksionimin në shkallë kombëtare të shtetit shqiptar. Maliqi apo të tjerat që po bashkohen nuk do jenë njësi administrative si ato që ju shikoni sot. Dhe për këtë arsye, për këtë ligj ne krijojmë një nivel tjetër, duke u bërë një njësi më e madhe, futet në një kategori tjetër të fondeve të BE-së. Dhe do shikoni që do ju rriten investimet. Duke u rritur masa, do ketë më shumë para për të investuar. Nuk ka këtu asnjë rrezik, këtu ka vetëm gjëra pozitive. Më pak s’ka, më shumë ka”, u shpreh Rama.
Ai tha gjithashtu se procesi i riorganizimit territorial do të vijojë edhe më tej, duke shtuar se në vitet e ardhshme ndryshimet mund të prekin edhe bashkitë e Kolonjës dhe Devollit.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit dhe deputeti i qarkut të Korçës, Niko Peleshi.
Ai deklaroi se Maliqi nuk do të jetë më bashki, por do të ruajë statusin e qytetit, ndërsa shërbimet, sipas tij, nuk do të largohen nga banorët.
“Pra, Bashkia e Maliqit nuk do të jetë më bashki, por do të jetë qyteti i Maliqit dhe do t'ju shërbejë të gjitha fshatrave, të njëjtave fshatra dhe njësive administrative që ka edhe sot.
Sikundër dhe Korça, do të ketë gjithashtu një drejtues të posaçëm, nënkryetar bashkie thotë projektligji”, tha Peleshi.
Peleshi shtoi se Reforma Territoriale nuk përfundon vetëm me ndryshimin e hartës, por pritet të pasohet edhe nga ndërhyrje në kuadrin ligjor për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Takimi në Korçë vjen pas atij në Poliçan, ku diskutimet për Reformën Territoriale u shoqëruan me debate dhe përplasje verbale. Një pjesë e banorëve braktisën takimin, ndërsa gjatë debatit Rama iu drejtua disa prej të pranishmëve me shprehjen “Qepeni gojën”, duke shkaktuar reagime nga përfaqësuesit e zonës.
Më pas, në një postim në rrjetet sociale, Rama e përshkroi takimin si një ballafaqim në kuadër të diskutimeve për reformën.
“Dje në Berat, ku kokëfortësia kolektive e përfaqësisë së Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm”, shkroi ai.
“KORÇA BOOM”
















