Dy pallate shkatërrohen nga shpërthimi, vdesin tre persona
- Korca Boom
- Oct 17
- 1 min read
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një ndërtesë banimi në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e shpërthimit, janë shkatërruar dy pallate, janë vrarë tre persona dhe janë plagosur të paktën 13 të tjerë.
Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi në katin e pestë dhe të gjashtë të një ndërtese tetëkatëshe. Shkaku i shpërthimit ende nuk është përcaktuar, ndërsa autoritetet kanë ndërprerë furnizimin me gaz në zonë si masë paraprake sigurie.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se viktimat kishin pësuar politrauma dhe djegie të rënda. Një person u gjet i pajetë nën një pllakë betoni në katin e gjashtë, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spitalet e kryeqytetit për ndihmë mjekësore.
Të gjithë banorët e ndërtesës janë evakuuar dhe ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkimit për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja. Edhe një shkollë pranë vendngjarjes u evakuua për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit.
Autoritetet lokale thanë në një deklaratë se një tjetër bllok banimi pranë vendngjarjes u dëmtua gjithashtu, pasi nga forca e shpërthimit u shkëputën elementë ndërtimi nga fasada e ndërtesës.
“KORÇA BOOM”



















