Pas arrestimit të nënës, edhe fëmija 1-vjeçar dërgohet në burg
- 1 day ago
- 1 min read
34-vjeçarja e arrestuar një ditë më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Murrqanit është transferuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku po vuan një dënim prej dy muajsh burg. Bashkë me të, gjatë ditës së sotme, është dërguar edhe djali i saj 1-vjeçar, i cili do të qëndrojë pranë nënës në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Gruaja u arrestua në kthim nga Gjermania, në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, të dhënë në mungesë në vitin 2023, për veprën penale "Dhunë në familje" ndaj vjehrrit të saj.
Sipas familjarëve, 34-vjeçarja është nënë e tre fëmijëve të mitur. Njëri prej tyre është 4 vjeç dhe përballet me probleme shëndetësore, fëmija i dytë është 2 vjeç, ndërsa më i vogli, vetëm 1 vjeç, është dërguar pranë nënës në burg.
Familjarët pretendojnë se vjehrri e ka falur 34-vjeçaren dhe se dënimi prej dy muajsh burg duhej të ishte përfituar nga ligji i amnistisë. Megjithatë, institucionet përgjegjëse kanë zbatuar urdhrin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet që Avokati i Popullit të zhvillojë një vizitë në burgun e Pojskës për t'u takuar me 34-vjeçaren dhe për t'u njohur nga afër me rrethanat e rastit, si edhe me kushtet në të cilat po qëndron fëmija 1-vjeçar së bashku me nënën e tij.
Rasti ka ngjallur reagime dhe debat, ndërsa pritet që pas vizitës së Avokatit të Popullit të ketë më shumë detaje mbi situatën dhe trajtimin e nënës dhe të miturit në institucionin e vuajtjes së dënimit.
“KORÇA BOOM”
















