EKSKLUZIVE/ Te Skënderbeu nis merkatoja, arrihet marrëveshja e parë
- 1 day ago
- 1 min read
Sezoni ka përfunduar për KF Skënderbeu, por në klubin korçar duket se nuk ka kohë për pushim. Teksa futbollistët janë larguar pranë familjeve të tyre pas mbylljes së kampionatit, drejtuesit kanë nisur menjëherë lëvizjet për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri, një sezon ku objektivat pritet të jenë shumë më ambicioze.
Në zyrat e klubit po punohet intensivisht nga presidentin Ardian Takaj dhe drejtori teknik Ardi Gjançi, të cilët kanë filluar të piketojnë lojtarët që do të jenë pjesë e projektit të ardhshëm.
Ndërkohë, mësohet se lëvizja e parë e rëndësishme është bërë tashmë. Burime shumë pranë klubit bëjnë me dije se portieri Marko Alia ka hedhur firmën për të vijuar bashkëpunimin me Skënderbeun edhe për dy sezonet e ardhshme.
Korçarët kanë lëvizur shpejt për të blinduar gardianin, i cili gjatë këtij sezoni tregoi siguri dhe stabilitet në portë, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Edhe pse në javët e fundit u penalizua nga një dëmtim, performancat e tij gjatë kampionatit kanë bindur drejtuesit se ai duhet të jetë pjesë e projektit të ri.
Rinovimi i Alias shihet si një sinjal i qartë se Skënderbeu kërkon të ndërtojë skuadrën duke ruajtur bazën e lojtarëve më të rëndësishëm. Në klub besohet se portieri do të jetë një nga pikat më të forta të ekipit edhe në sezonin e ardhshëm, ku priten lëvizje të tjera në merkato.
Pas firmës së parë, vëmendja tashmë do të jetë te emrat e tjerë që mund të afrohen apo të largohen nga skuadra, ndërsa merkatoja verore te Skënderbeu duket se sapo ka nisur.
“KORÇA BOOM”
















